Gjergj Vyshka 22.04.2016 16:15
“Nga biseda që kam bërë jo vetëm sot, por edhe përpara me Presidentin e Federatës dhe sekretarin e përgjithshëm kam një listë për disa lojtarë që luajnë në Shqipëri dhe kisha fatin të shihja disa prej tyre, – ka deklaruar trajneri i ekipit kombëtar të volejbollit të meshkujve. – Të tjerët i kam marrë në DVD dhe do t’i shoh kur të kthehem në vendin ku jetoj.”
“Besoj se bashkë me lojtarët që presim të vijnë nga jashtë do të krijojmë një grup të mirë, ku me punë mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë për volejbollin, – ka vijuar Melka. – Spikati diagonalisti i Studentit, Troka. Ishte me të dhëna të mira pavarësisht se nuk e filloi mirë ndeshjen. Gjithashtu më pëlqeu edhe qendra e Tiranës, numri 9, Pepa.”
“Pa harruar këtu përvojën e lojtarit të lirë të Studentit, Gorenxa, të cilin do ta takoj dhe do t’i kërkoj për të qenë pjesë e ekipit kombëtar, – ka theksuar ai. – Sa i përket moshës së madhe mesatare, duke parë volejbollin evropian dhe atë botëror, në përgjithësi nuk ka problem shumë mosha. Ky është një sport teknik dhe besoj e dini që ka shumë lojtarë të moshës 40-vjeçare që aktivizohen akoma.”
“Sepse sot spikat dhe këmbëngulet më shumë tek roli. Kështu që nuk ka problem. Edhe unë në moshën 41 vjeç e kam lënë kur isha në ekipin kombëtar”, – ka përfunduar Melka, ndërsa Shqipëria e volejbollit të meshkujve do të marrë pjesë në Ligën e Evropës, atje ku nga data 10, deri më 12 qershor 2016 do të jetë në Maqedoni dhe nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Bullgari, ndërsa do të jenë përballë Maqedonisë, Bullgarisë dhe Danimarkës.