Gjergj Vyshka 23.04.2016 07:05
Jani Melka, trajneri i ri i kombëtares së volejbollit të meshkujve, në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtuesit e lartë të Federatës në mjediset e Hotelit “Doro City”, ka shpallur platformën e tij. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ligën e Evropës, ndërsa përballë do të ketë Bullgarinë, Maqedoninë dhe Danimarkën. E ndeshjet do të luhen me grumbullim, nga data 10, deri më 12 qershor 2016 në Bullgari dhe nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Maqedoni.
Sipas tij është krenari të jesh trajneri i kombëtares së volejbollit të Shqipërisë. “Unë kam qenë edhe më parë në këtë pozicion, por si ndihmëstrajner me Ylli Tomorrin, – ka thënë ai duke iu referuar trajnerit veteran, të cilin e zëvendëson në krye të stolit të përfaqësueses kuqezi të rrjetës së meshkujve. – Është përgjegjësi e madhe të jesh trajneri i kombëtares, aq më tepër që volejbolli apo përfaqësuesja e Shqipërisë nuk ka bërë atë që duhet të bëjë.”
“Ne jemi ndër Federatat më të vjetra dhe kemi gjithë atë histori, ndërsa kam ndjerë emocione duke iu rikthyer dhe një herë atyre gjërave që ne kemi bërë, – ka vijuar Melka. – Ne do të mundohemi të gjithë së bashku që ta nxjerrim sa më mirë këtë veprimtari. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme dhe kemi folur me të gjithë për hollësitë dhe rëndësinë e kësaj veprimtarie ku ne do të jemi përballë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Danimarkës.”
“Kemi bërë një listë me lojtarë, një pjesë e të cilëve i kam parë në ndeshjen Studenti-Tirana, kurse të tjerë kam marrë DVD. Presim dhe përgjigjen e lojtarëve që luajnë jashtë vendit, ndërsa do të përpiqemi të ndërtojmë një grup që do t’i përkasi të ardhmes së kësaj kombëtareje. Ne duhet të ndërrojmë mentalitetin dhe fjala kombëtare të jetë shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, – ka përfunduar trajneri i ri i kombëtares së volejbollit të meshkujve, Jani Melka.
Liga e Evropës
Volejboll – Meshkuj
Kalendari i ndeshjeve të turit të parë
(Varna – Bullgari)
Dita e parë
(10 qershor 2016)
Shqipëri – Maqedoni ora 15:00
Bullgari – Danimarkë ora 18:00
Dita e dytë
(11 qershor 2016)
Maqedoni – Danimarkë ora 15:00
Bullgari – Shqipëri ora 18:00
Dita e tretë
(12 qershor 2016)
Shqipëri – Danimarkë ora 15:00
Bullgari – Maqedoni ora 18:00