Gjergj Vyshka 10.09.2016 17:45
Pas shumë kohësh pa trajner që nga dorëheqja e Artan Kalasë, Mark Kroqi ka vendosur që të bëjë edhe rolin e trajnerit. Ky vendim ka ardhur sepse djemtë e volejbollit kanë të domosdoshëm një trajner në krye. Në këtë mënyrë shefi “Sport Klub Vllaznia” mësohet se i ka bërë disa ftesa figurave të volejbollit në Shkodër ndër vite, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të marrë drejtimin e volejbollistëve të Vllaznisë.
Ftesa ka shkuar për emra si Xhino Mjeda, Sandër Leqejza, apo edhe Petrit Jukni. Duke parë kushtet jo shumë të përshtatshme dhe situatën në ekip, pas trazimeve nga dorëheqja e trajnerit Kalaja, ata kanë dhënë përgjigje negative duke refuzuar ofertën. Një mundësi ka qenë edhe sjellja e ndonjë trajneri të huaj, por kjo nuk është bërë e mundur për shkak të kërkesave të larta ekonomike.
Në këtë situatë emergjente pa trajner, shefi i klubit shumësportësh, Mark Kroqi, nuk ka pritur më askënd dhe ka vendosur që ta marrë vetë drejtimin e ekipit të meshkujve të Vllaznisë në volejboll. Nga sa mësohet do vijojë që të marrë pagën vetëm si drejtor i “Sport Klub Vllaznia”, ndërsa postin e trajnerit do ta bëjë pa një shtesë monetare duke dhënë një kontribut të mirë për kuqeblutë.