Gjergj Vyshka 22.09.2015 09:35
Një fitore e madhe e Italisë në volejboll për meshkuj në Kupën e Botës “Japoni 2015”, por në të njëjtën kohë edhe një hap i madh drejt kualifikimit direkt për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Tashmë kanë mbetur dhe dy ndeshje, sot me Argjentinën dhe nesër me Poloninë, e cila nga ana e saj dje ka shtangur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa e ka mundur 1-3, që të kaltrit të mendojnë që tani vajtjen drejt Brazilit.
Dhe kanë të drejtë ta mendojnë, sepse me përjashtim të një humbjeje me Amerikën, kanë 8 fitore. Dhe e djeshmja, 3-0 ndaj Rusisë duket se ka qenë e frikshme për kundërshtarët, pasi të kaltrit e Blenxhinit janë duke bërë gjithçka mirë në këtë Kupë të Botës.
Të paktën deri më tani. Buti me shokë, duke mbetur gjithnjë në ndeshjen e djeshme, kanë bërë një prezantim të madh, ndërsa intensiteti i lojës së tyre ka qenë i papërballueshëm për rusët, që ishin kandidatë kryesorë për të shkuar në “Rio de Zhaneiro 2016”.
Një set i parë perfekt, me shumë vullnet në të dytën pas katër përmbysjeve dhe të pakapshëm në të tretën. Shënuesi më i mirë i ndeshjes është Zajtsev, i cili ka shënuar 20 pikë nga loja, katër me shërbim dhe tre i ka me muret e tij të forta duke ndalur sulmin e kundërshtarit.
Mirë edhe Xhianeli. Tashmë që të konfirmohet kjo Itali e fortë mbetet sot sfida me Argjentinën dhe më pas ndaj Polonisë. Por deri më tani gjithçka është perfekte.
Kupa e Botës
Volejboll – Meshkuj
“Japoni 2015”
Rezultatet e ditës së 9-të:
Itali – Rusi 3-0
(25-15, 26-24, 25-18)
Egjipt – Tunizi 3-2
(23-25, 25-21, 23-25, 25-17, 15-11)
Kanada – Venezuelë 3-0
(25-18, 25-22, 25-23)
Japoni – Argjentinë 0-3
(24-26, 22-25, 21-25)
SHBA – Poloni 1-3
(25-17, 19-25, 23-25, 15-25)
Australi – Iran 3-0
(27-25, 27-25, 25-22)