Gjergj Vyshka 01.04.2016 08:45
Blerim Memia, volejbollisti i Studentit, pranon që dëmtimet janë problemi më i madh i kampionëve në fuqi për këtë sezon. Dhe kjo është e vërtetë, ndërsa aktualisht trajneri i Studentit, Ylli Tomorri, ka tre lojtarë jo të gatshëm për lojë. Dhe këtu bëhet fjalë për Genti Lundrën, që vazhdon të shpresojë se ndoshta në fundin e sezonit mund t’i jap një dorë Studentit në luftën për titullin kampion pas dëmtimit në kavilje.
Jo vetëm kaq, por në kulmin e sezonit, pikërisht në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës, fituar nga Studenti 3-2, Studenti ka humbur dhe një tjetër volejbollist të rëndësishëm. Stojan Vuldijev diagnostikuar me ndrydhje të gjurit, këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe çarje të meniskut jo vetëm që e ka humbur sezonin, por është detyruar t’i nënshtrohet dhe ndërhyrje kirurgjikale në Sofje.
Dhe i dëmtuari i tretë është Blerim Memia, që në ndeshjen me Tiranën, të mërkurën e kaluar në “Farie Hoti”, ka pësuar një dëmtim në mes. E probleme fizike duket se kanë edhe Troka e Tukseferi, që herë pas herë janë në fizioterapi me mjekun sportiv Mel Ostreni. E jo vetëm kaq, por përpara ndeshjes me Vllazninë është parë të masazhohet në kofshë edhe Hendi Kono.
Tre të padisponueshëm, tre të lënduar dhe gati një formacion i plotë i dalë gati jashtë funksionimit për Studentin në kulmin e sezonit. Dhe pasoja, dy humbje radhazi me dy rivalë për titull “kampion”, 0-3 me Tiranën dhe 2-3 me Vllazninë.