Gjergj Vyshka 12.05.2016 11:15
Kombëtarja e volejbollit të meshkujve, e cila drejtohet nga Jani Melka dhe Artan Kalaja e që për drejtor teknik ka Dritan Çukon, ka një javë që ka nisur përgatitjet e saj për pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.
Siç dihet, kjo edhe nga shorti që është hedhur në Luksemburg më 22 janar të këtij viti, kombëtarja e meshkujve do të jetë në grup përballë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Danimarkës.
Stacioni i parë do të jetë nga data 10, deri më 12 qershor 2016 në Bullgari dhe i dyti, nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Maqedoni. Ndër të thirrurit e Melkës në këtë grumbullim spikasin dhe lojtarët legjionarë si Xhelati, Husaj dhe Shurdhi.
Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, deri në nisjen e ndeshjeve zyrtare shpreson të ketë edhe teste miqësore. Të paktën, nga ajo që trajneri Melka tha në konferencën për shtyp më 22 prill 2016, janë planifikuar ndeshje me Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Greqinë.