Tirana, edhe pse u mund pak ditë më parë po në “Qazim Dervishi” nga Vllaznia me set final, demonstroi një formë sportive dhe nivel shumë të kënaqshëm cilësor, paraqitje të cilën e shfaqi edhe në përballjen e mbrëmshme për betejën e parë gjysmëfinaliste të fazës së “play-off”-it. Fitorja 1-3 në fushë të huaj është një hap shumë pozitiv për Tiranës, por për trajnerin Ilo Koja kualifikimi vijon të jetë i hapur. Ndaj, për këtë arsye, përballja e së premtes në kryeqytet, Tirana-Vllaznia pritet me shumë interes.
“Ishte një ndeshje që nuk e prisnim të përfundonte në një mënyrë të tillë, – ka thënë pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja. – E kishim përgatitur atë në mënyrën më të mirë për të marrë një fitore të mundshme, por nuk ia arritëm qëllimit. Nuk e kuptoj se çfarë ndodh me skuadrën tonë në takime të tilla. Mesa duket disa prej volejbollistëve tanë kanë neglizhuar duke e pasur mendjen tjetërkund, gjë e cila duket se na dëmtoi shumë dhe bëri që ndeshja të humbet.”
“Gjithsesi kemi ndeshjen e dytë dhe shpresojmë të marrim një fitore sepse edhe më parë gjatë kampionatit kemi fituar në kryeqytet”, – shtoi ai. Ndërsa homologu bardheblu, Ilo Koja, tha: “Mund të them se ndaj Vllaznisë nuk e patëm aspak të lehtë. Ajo është një skuadër e mirë dhe e vështirë për ta mundur brenda fushës së saj. Sidoqoftë, skuadra e jonë ishte e përqendruar totalisht për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë e treguan me vendosmërinë e tyre në fushën e lojës.”
“Jam i kënaqur që ato i zbatuan shumë mirë detyrat që i dhashë duke bllokuar sulmet e kundërshtarit dhe duke u mbrojtur mirë gjë e cila na dha fitoren. Shpresoj që të fitojmë dhe ndeshjen e dytë tashmë në fushën tonë dhe të jemi në finale për titull “kampion””, – ka përfunduar trajneri i Tiranës në volejboll për meshkuj, Ilo Koja.