AlbanianSport.com 12.04.2015 14:35
ASNN – Ka ndodhur dje një ngjarje e pazakontë në volejbollin shqiptar të meshkujve. Shkelma dhe grushte në fundin e finales së parë të “play off”-it mes Studentit “kampion” dhe Tiranës. Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, gjithçka ndodhi në fundin e derbit kryeqytetas së fituar me përmbysje spektakolare 3-2 nga bardheblutë.
Skandali kaloi çdo limit ndërsa kapiteni i Studentit, Elton Tukseferi, humbi kontrollin dhe u përplas fizikisht me trajnerin kundërshtar, Arben Sako. Duke qenë se ky i fundit e kishte ofenduar verbalisht gjatë ndeshjes, të dy u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari. Por, në fund të takimit pati sërish një reagim me gjeste në distancë, për të ndezur edhe një sherr mes tyre.
Sipas të përditshmes sportive në fjalë, i gjithë ky kaos është i pamundur të neutralizohet me vetëm 2 efektivë të policisë të pranishëm në Pallatin e Sportit. Skenat e dhunës ndodhën në syrin e drejtuesve më të lartë të federatës dhe qindra tifozëve të pranishëm në shkallët e “Asllan Rusit” në kryeqytet. Ishte pikërisht mesi i setit final ai që e i dha shkas gjithçkaje, ndërsa Studenti udhëhiqte 6- 4.
Një sherr verbal mes trajnerit Sako dhe kapitenit të Studentit, Tukseferi është konstatuar nga gjyqtari i dytë i ndeshjes, Eduart Preka që menjëherë sinjalizon kryesorin Zguri. I prerë në vendim, Zguri nxjerr kartonë të kuq për të dy. Ndërkohë burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se lojtari pretendon është fyer i pari familjarisht nga trajneri, çka provokoi më pas edhe incidentin.
Protesta nga të dyja kampet për ndëshkimin e marrë, por që gjithçka u duke sikur u mbyll aty për aty. Edhe pse një sportist me karrierë të gjatë dhe shembullore, duket se edhe Tukseferi ka humbur qetësinë në fundin e takimit. I nervozuar prej ofendimeve, ai shkoi drejt teknikut kundërshtar, për të “dhuruar” më pas edhe atë sherr, që e ka njollosur kështu këtë “play-off” final të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj.