Gjergj Vyshka 16.10.2015 21:05
Italia në volejboll për meshkuj, pas asaj fitoreje të madhe ndaj Rusisë, e cila është kampione në fuqi e Evropës dhe fituese e medaljeve të arta në Lojërat Olimpike, i ka bërë të gjithë për të marrë titullin e dymbëdhjetë kampion kontinental. Të kaltrit janë ngjitur në podium 11 herë si fitues në 13 edicione, ndërsa herë e fundit më 2013-ën kanë marrë medaljet e argjendta.
Italia, nëpërmjet një avioni “çarter”, tashmë ka mbërritur në Sofje, atje ku do të jetë selia e finaleve të Kampionatit Evropian të volejbollit për meshkuj. Ka eufori mes lojtarëve, por dhe një farë ekuilibri. Xhianeli tregon: “Kënaqësi e papërshkruar. Një fitore shumë e bukur, tani do ta luajmë gjithçka në Bullgari”. Kolaçi shton: “Një garë e tmerrshme. Tani të gëzojmë dhe pastaj të mendojmë për gjysmëfinalet”.
Ndërkohë prania e Italisë në finalet e Kampionatit Evropian, ose më saktë në katërshen e më të mirëve, është një kënaqësi më vete edhe për presidentin e Federatës italiane të Volejbollit, Magri. “Italia e Blenxhinit i ka entuziasmuar të gjithë, sigurisht që jemi në rrugën e duhur, – ka thënë ai. – Sinqerisht isha pak i preokupuar pas 12 ndeshjesh të luajtura në 15 ditë.”
“Përkundrazi duhet të them që ndeshja me Rusinë më ka konfirmuar se jemi në rrugën e duhur, – ka vijuar Magri. – Është bërë një punë shumë e mirë dhe nuk është se lojtarët u krijuan për një javë. Blenxhini bënte pjesë në organikën tonë dhe ka ditur të japë diçka më shumë. Nga medalja e bronztë në Londër ka mbetur Zajtsev, që do të thotë se kemi punuar shumë mirë prej disa kohësh”.
Kampionati Evropian
Volejboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet
Të shtunën:
Slloveni – Itali ora 17:45
Bullgari – Francë ora 20:00
Të dielën:
Për vendin 3-4 ora 17:30
Finalja:
Për vendin 1-2 ora 20:45