Gjergj Vyshka 18.10.2014 07:55
Sot Studenti-Fino Kaposvar, ora 18:00, kampionët kërkojnë kalimin e turit. Tomorri: Tentojmë surprizën, jemi më mirë se ndeshjen e parë. Nëse shkojmë me golden set dhe kualifikohemi publiku ka për t’u kënaqur me ne.” Studenti luan sot aktin e dytë të pjesëmarrjes së vet në “Çellenxh Kap” (Challenge Cup), ndërsa në ora 18:00, do të ketë përballë hungarezët e Fino Kaposvarit. Një kundërshtar i fortë, ashtu sikurse ka pranuar dhe pranon trajneri i kampionëve, Ylli Tomorri, por jo krejtësisht i pamundur për t’u kaluar. I pari i pankinës së Studentit konfirmon se skuadra ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të qenë më mirë sot në fushën e lojës se sa në ndeshjen e parë.
Aq më tepër që skuadra tashmë e di se si do të koordinohet në fushën e lojës me Kampionin e Botës dhe fituesin e medaljeve të arta në Lojërat Olimpike, Donald Suxho. Për këtë arsye Tomorri nuk pranon që skuadra e tij në veçanti dhe volejbolli në tërësi do të jetë jashtë vëmendjes së opinionit publik për shkak të kombëtares së futbollit, e cila sot në mbrëmje luan miqësoren e saj historike me Italinë, apo dhe për shkak të kampionëve të botës në peshëngritje, Daniel Godelli dhe Romela Begaj.
“Unë nuk mendoj se ka mbetur volejbolli jashtë vëmendjes së publikut, sepse dashamirësit e volejbollit do të vijnë. Nëse ndeshja shkon me “golden set” dhe ne kualifikohemi publiku do të kënaqet edhe nëse humbasin 10 apo 20 minuta nga ndeshja me Italinë. Ne do të tentojmë surprizën”, – ka thënë në intervistën e tij për “Gazeta e Sportit”, trajneri i kombëtares së volejbollit të Studentit, Ylli Tomorri.
– Cila është gjendja e Studentit në prag të ndeshjes me Fino Kaposvarit?
– Shumë më e mirë se sa dy javë më parë. Skuadra është stërvitur në kushte optimale, ka një optimizëm brenda grupit dhe prania e një kampioni të madh bote si Donald Suxho e ka bërë më të ndjeshme skuadrën për të dhënë më të mirën në fushën e lojës. Që do të thotë se do të tentojmë jo vetëm të fitojmë, po pse jo dhe të kalojmë raundin…
– Atëherë duhet të presim ndonjë surprizë sonte nga Studenti?
– Normalisht po. Nuk do të jetë e lehtë, por sigurisht që nuk ndodh shpesh që të kesh në gjirin e skuadrës një kampion bote. Unë besoj tek të gjithë lojtarët, ndaj dhe themi që si në asnjë pjesëmarrje tjetër në aktivitetet ndërkombëtare të tentojmë deri në fund kalimin e turit.
– Çfarë informacioni keni për kundërshtarin, a ka ndryshuar gjë në këto dy javë?
– Kundërshtari është po ai. Ashtu siç ju kam thënë dhe herën tjetër, Fino Kaposvar është me lojtarë të kombëtares hungareze. Ndoshta për arsye ekonomike edhe mund të mos vijë me të gjithë lojtarët. Por gjithsesi është një skuadër e fortë dhe që duhet pasur kujdes në çdo moment.
– Diku kombëtarja e futbollit për shkak të miqësoreve me Francën dhe Italinë, diku kampionët e botës të peshëngritjes, Studenti në këto momente është jashtë vëmendjes së opinionit publik?
– Nuk jam dakord me këtë përfundim, sepse volejbolli gjithnjë ka pasur dhe do të ketë të pasionuarit e vet. Aq më tepër që Studenti me një Donald Suxho në fushë do të jetë krejtësisht gjë tjetër dhe do të bëjë atë që të gjithë të ndihen mirë kur të vijnë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Publiku do ta shijojë lojën e Studentit sot.
– Megjithatë Itali-Shqipëri në mbrëmjen e së martës, një ndeshje e juaja me pak publik?
– Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse ne e nisim ndeshjen në ora 18:00, kurse futbolli është në ora 20:45. Por dhe nëse shkohet me “golden set” dhe Studenti kualifikohet, atëherë publiku edhe mund t’i humbasë dhjetë apo 20 minuta nga futbolli, sepse kalimi i raundit do të jetë historike për skuadrën. Unë besoj në forcat e skuadrës që kam stërvitur deri më tani.