AlbanianSport.com 20/02/2021 20:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka nisur tanimë garën me kalendar të plotë dhe, dy rivalet kryeqytetase, Partizani dhe Tirana kanë marrë fitoret e para të sezonit 2020-2021, ndërsa në Grupin B është luajtur java e fillimit të këtij edicioni. Si për të kuqtë e trajnerit Ylli Tomori, ashtu dhe për bardheblutë e Ilo Kojës, nuk ka qënë sukses i lehtë.
Sepse si Farka Volej e trajnerit pasionant, Dritan Bardhit, ashtu dhe Studenti, që për fat të keq nuk kishte as trajner, kanë bërë rezistencë. Siç dihet, ndeshjet po zhvillohen duke respektuar rregullat anti-“Covid-19” të vendosura nga protokollet e Federatës Shqiptare të Volejbollit, si në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit, “Asllan Rusi”, ashtu edhe në sallën sportive “Farie Hoti”.
Tek Partizani-Farka Volej, të besuarit e Dritan Bardhit, përtej barazimit momental të të kuqve 17-17, kanë marrë setin e parë 23-25. Më pas shpërthen Partizani, që nën organizimine “ish”-it Ildi Deliut dhe sulmeve të një tjetër “ish”-i të Farka Volejit, Osman Qepës, Pepajt, Çelës, Ramës dhe Garunjës, arrin të fitojë 3 sete radhazi, përkatësisht 25-20, 25-20 dhe 25-14 dhe gjithë takimin me rezultatin përfundimtar 3-1.
Në ndeshjen tjetër, Tirana ka fituar me vështirësi setin e parë, 26-24. Më pas dhe të dytin, 25-14. Në setin e tretë del në pah Studenti, që fiton në pikët shtesë 26-28. Por bardheblutë nuk dorëzohen, 25-22 i katërti e përfundimisht 3-1. Të dielën për meshkuj do të luhen ndeshjet e Grupit A, atje ku Erzeni do të presë Skënderbeun, ndërsa Teuta do të presë Vllazninë. Për efekt kalendari, teksa ky grup ka 4 skuadra, Elbasani është pushim.