Gjergj Vyshka 03.03.2016 08:50
Teuta luan sot ndaj Elbasanit për meshkuj, kurse Studenti, për shkak të pjesëmarrjes në Kupën “Adem Jashari”, takimin me Skënderbeun do ta luajë të martën. Të shtunën e ardhshme, Korabi-Studenti për femra. Volejbolli shqiptar ka zyrtarizuar ndryshimet në kalendar për javën e 7-të të Kampionatit Kombëtar të Meshkujve, që shënon edhe fundin e fazës së dytë, si dhe për javën e dhjetë të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra.
Kështu, kjo edhe sipas njoftimit zyrtar të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Teuta-Elbasani e parashikuar për t’u luajtur të shtunën në ora 14:00 do të bëhet sot në ora 18:00. Ndërkohë Studenti, që është pjesëmarrëse në Kupën “Adem Jashari” të shtunën e të dielën, ndeshjen me Skënderbeun, që duhej ta luante më 5 mars në ora 16:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” do ta zhvillojë të martën më 8 mars në ora 13:00 në të njëjtin vend.
Që do të thotë vetëm një ditë përpara zhvillimit të finaleve të Kupës së Shqipërisë, që të mërkurën e të enjten do të bëhen në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër. Sakaq edhe tek femrat e grupit A2, kjo për javën e dhjetë, ndeshja Korabi-Studenti është shtyrë për një javë dhe do të zhvillohet të shtunën e ardhshme më 12 mars në ora 11:00. Këto janë ndryshimet në kalendar të volejbollit shqiptar, që tashmë ka nisur të funksionojë edhe në lajmërimin për mediat për çka që ndodh me veprimtaritë kombëtare.