Gjergj Vyshka 26.09.2014 18:35
Seti i parë i ndeshjes së dytë gjysmëfinale mes Studentit dhe Farka Volejit është për librat e rekordeve. Jo vetëm që ka zgjatur 27 minuta, gati gjysëm orë, por ka numëruar plot 14 barazime. Që nga 24-24 e deri në 38-38 gjithçka ka qenë në ekuilibër. Më pas Studenti gjen forcën të fitojë këtë set maratonë.
Në të dytin është gjithnjë në epërsi derisa ka fituar 25-22. I treti ka nisur me epërsinë e Farkës, por kanë kthyer kampionët, që kanë fituar 25-22 dhe 3-0. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes Koçi i Farka Volejit me 19 pikë i ndjekur nga Qerraxhia dhe Ledio Martiro me 13 pikë.
Në bllok ka dalë fitues Malaj i Studenti me katër mure fituese, po kaq kanë pasur dhe Bajrami e Mimani të Farkës. Në shërbim është fitues Ledio Martiro me tre të sakta. Në total Studenti ka realizuar 90 pikë, prej të cilave 59 pikë i ka shënuar vetë, kurse 31 pikë kanë ardhur nga gabimet e Farkës.
Në krahun tjetër Farka Volej ka shënuar 82 pikë prej të cilave 63 pikë vetë, kurse 19 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Kjo ishte ndeshja e dytë gjysmëfinale, krejtësisht për libra rekordesh, ndërsa Farka Volej ka treguar se këtë sezon nuk do të jetë thjesh për statistikë në kampionat, por për shumë më shumë.
Studenti – Farka Volej 3-0
(40-38, 25-22, 25-22)
Studenti: Çali, Rrashketa, Malaj, Qerraxhija, K.Martiro, L. Martiro, Muça (L) / Tukseferi, Memia, Drinasi, Gorenxa (L). Trajner: Y. Tomorri
Farka Volej: Koçi, Deliu, Qepa, Metani, Bajrami, Mimani, Berdufi (L) / Vllaçaj, Palushi (L). Trajner: D. Bardhi
Gjyqtarë: R. Kasmi (Tiranë), G. Zuna (Durrës)