AlbanianSport.com 27.09.2014 21:55
ASNN – Farka Volej bind në finalen e vogël të Kupës së Federatës. Edhe pse përballë djemve të drejtuar nga trajneri Dritan Bardhi ishte një skuadër me histori në volejbollin e meshkujve si Vllaznia e homologut Kalaja, vendësit ishin superiorë në lojë dhe e mbyllën ndeshjen për vendin 3-4 në favor me rezultatin e pastër 3-0. Në radhët e formacionit shkodran u ndien edhe disa mungesa titullarësh të edicionit të kaluar “të peshkuar” së fundmi te kampionët e Studentit.
Ajo e djeshmja në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ishte një fitore jo e rastësishme për Farka Volej që po konfirmohet si skuadër solide, edhe pse në vitin e dytë të saj mes më të mirëve. Kështu, Farka Volej jo vetëm që e ka merituar vendin e tretë, por dhe ka dhënë spektakël në fushën e lojës ndaj Vllaznisë. E ka nisur shpejt ndeshjen ndërsa në setin e parë ka qenë në avantazh të vazhdueshëm 12-11, 17-14, 22-18 dhe 25-20. E njëjta gjë dhe në dy setet e tjera, të cilat i ka fituar 25-18, ndërsa në harkun kohor të një ore ka dalë fitues ndaj Vllaznisë.
Në këtë ndeshje pikëshënuesi më i mirë i takimit ka qenë Koçi me 14 pikë, i ndjekur nga Qepa po me 14 pikë, si dhe A.Qafarena me 12 pikë. Në bllok ka dalë fitues Deliu, Mimani, Bajrami, K. Kola dhe Daniku me dy mure fituese. Në shërbim me nga dy të sakta Koçi dhe Deliu. Në total Farka Volej ka shënuar 75 pikë, prej të cilave 60 vetë dhe 15 kanë ardhur nga gabimet e Vllaznisë. Në krahun tjetër Vllaznia ka realizuar 56 pikë, prej të cilave 42 vetë, kurse 14 kanë ardhur nga gabimet e Farka Volejit.
Farka Volej – Vllaznia 3-0
(25-20, 25-18, 25-18)
Farka Voleji: Koçi, Deliu, Bajrami, Bërdufi (L), Metani, Qepa, Mimani / Aliraj, Plaku, Vllaçaj. Trajner: D. Bardhi
Vllaznia: Çekini, A. Qafarena, N. Qafarena, K. Kola, Daniku, R. Kola (L), Taflaj / Preka, Gjokaj. Trajner: A. Kalaja
Gjyqtarë: A. Shehu (Tiranë), G. Sakaj (Vlorë)