Gjergj Vyshka 15.12.2015 15:30
Nis faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë në volejboll dhe dy ndeshjet e grupit A të meshkujve, Studenti-Vllaznia dhe Farka Volej-Studenti, që do të zhvillohen në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të transmetohen nga Televizioni Shqiptar. Një risi që ka ardhur pas marrëveshjes me Federatën Shqiptare të rrjetës.
Pra, risia qëndron në faktin se dy ndeshje të Grupit A do të transmetohen direkt në kanalin e dytë të Televizionit Shqiptar, si dhe RTSH Sport. Sepse kjo është marrëveshja që ka arritur drejtori i departamentit të sportit në TVSH, Pano Xhixho, me Federatën Shqiptare të Volejbollit, për më tepër me presidentin Erlind Pëllumbi.
Madje siç bëhet e ditur edhe nga marrëveshja që nga 2016-ta një ndeshje e kampionatit të volejbollit të transmetohet në Televizionin Shqiptar, ashtu sikurse do të ndodhë tani me Studenti-Vllaznia dhe Farka Volej-Studenti. Gjithsesi tashmë gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë janë gati, ndërsa fitues në fuqi janë Barleti Volej për femra dhe Studenti për meshkuj.