AlbanianSport.com 18/10/2018 11:35
ASNN – Në futboll aplikohet “tarifa e solidaritetit” për klubet që prodhojnë talente. Domethënë, një lojtar i dalë nga një klub çfarëdo dhe që bën karrierë të suksesshme, kushdo klub që e merr në gjirin e vet është i detyruar të derdhë 2% të shumës së transferimit në arkën e klubit mëmë, si shpërblim për punën e atij klubi që ka punuar me talentet.
Po në volejboll a ka ndonjë rregull të tillë? Me sa duket jo, dhe këtë e vërtetojnë fjalët e trajnerit të Farka Volej, Dritan Bardhi. Në një intervistë që ka dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, trajneri pasionant ka prekur ndër të tjera këtë çështje, pasi ka marrë si shembull pikërisht skuadrën e tij, Farka Volejin, e cila prodhon shumë lojtarë të talentuar.
“Po flasim për rritjen e talenteve, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. – Desha t’i bëj një apel federatës. Në lidhje me rregulloren, duke u nisur nga fakti se deri më 2007, kur unë isha aktiv në volejboll, njihej klubi i origjinës. Unë tashmë punoj me këta elementë, shpenzoj, po ashtu dhe klubi, dhe nuk po flas vetëm për djersë, por edhe financiarisht. Po flas për një tarifë fikse.”
“Ne si akademi, si klub, kemi shpenzim prej 2 milionë lekësh të vjetra në vit për lojtar, për trajtim sportiv dhe ushqimor, – ka vijuar ai. – Por në të ardhmen, ky sportist largohet pa asnjë qindarkë, thjesht se një klub tjetër i jep diçka më shumë, kjo është e padrejtë. Sporti nuk ushqehet vetëm me pasion. Shpenzojmë djersë, para dhe kohë, prandaj dhe ne kemi të drejtë të kërkojmë një stimul për punën e bërë dhe që të vijojmë të prodhojmë lojtarë.”
Në fakt, Bardhi është arkitekti i një arritjeje të jashtëzakonshme, siç është ngritja nga hiçi drejt pjesëmarrjes dhe triumfit në Kampionatet e paratërinjve dhe të rinjve dhe, më pas, në Kampionatin Kombëtar, të një skuadre si Farka Volej. Dy prej lojtarët më të spikatur të saj, Redi Koçi dhe Ildi Deliu, vazhdojnë të luajnë për të dytin sezon radhazi me sukses në parketin e vendeve të ndryshme evropiane.