Gjergj Vyshka 10.01.2017 10:40
Trajneri i Farka Volejit: “Më pëlqen më tepër të luaj me lojtarët e mi. Nuk kemi mundësi për të bërë afrime të tjera dhe nuk e kemi në plan.” Farka Volej është skuadra e vendit të dytë në renditjen e fazës së parë, ndërsa është fituese e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Dhe duke qenë në vendin e dytë, me 6 fitore dhe vetëm 2 humbje, të vetmin kundërshtar që nuk po thyen dot është Partizani. Bardhi e pranon që ky kundërshtar është kthyer në një makth për skuadrën, në një ngërç psikologjik e pse jo në një “mace të zezë”. E kjo sipas tij për mungesë të përvojës.
Por megjithatë ai beson tek djemtë që i ka rritur vetë kjo që nga Qepa, Koçi, Bajrami, Deliu, Nimani, Metani, Vllaçaj e Topçiu, Xhajkone, Dodaj, po pse jo dhe Genti Lundra. E për rrjedhojë, pavarësisht se të gjithë po kërkojnë përforcime nga jashtë, Farka Volej do të vazhdojë të besojë në këtë grup.
Një grup djemsh të rritur që në vegjëli nga Bardhi, ndaj dhe ai nuk heq dorë. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– E keni mbyllur fazën e parë të kampionatit në vendin e dytë. Çfarë mund të bënte më shumë Farka Volej këtë pjesë të parë të sezonit?
– Me pak kujdes dhe me më shumë fat mund të ishim renditur më mirë, të paktën me pikët. Por sido që të ishte ne përsëri në vendin e dytë do të ishim. Megjithatë unë jam i kënaqur me rezultatin e deritanishëm. Sepse kemi arritur për herë të parë të fitojmë Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Kemi arritur të kualifikohemi për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe me pozicionin në vendin e dytë në kampionat, them se kjo pjesë e parë e sezonit është e suksesshme. Objektivi është finalja e Kupës së Shqipërisë dhe finales së titullit “kampion”. Rruga do të jetë e vështirë, sepse me sa kam dëgjuar të tjerët janë duke bërë përforcime me lojtarë të huaj.
– Sa i vështirë është dueli me Partizanin dhe si mund të thyhet kjo skuadër?
– Për mua si trajner çdo gjë është e mundur. Por e keqja është se na bërë psikologjike ndaj Partizanit e kjo edhe për mungesë të përvojës. Na është bërë si “mace e zezë”, të cilët s’po e gjejmë ende mënyrën për ta thyer. Është i vetmi kundërshtar që nuk e kemi mundur deri më tani qoftë dhe një herë të vetme. Por kurrë mos thuaj kurrë.
– Në skuadër jo vetëm Qepa, Koçi dhe Deliu, por dhe Nimani, Bajrami e Metani. Farka Volej është kthyer në një ansambël ku askush nuk mund të depërtojë për të qenë titullar?
– Unë do të vazhdoj të ngul këmbë e të punoj me djemtë e mi. Me këto e kam nisur që nga viti 2000 dhe do të vazhdoj derisa të arrij objektivin tim. Kam dhe tre lojtarë të datëlindjes 2000, që janë elementi i ri, me një gjatësi 1.94 metra e që premtojnë. Besoj se nesër do të jenë lojtarë goxha të mirë për skuadrën dhe volejbollin shqiptar.
– Jemi në merkaton e dimrit, do të kërkoni ndonjë element shtesë për përforcim?
– Jo, sepse nuk i kemi këto mundësi. Më pëlqen të luaj me djemtë e mi. Kështu që nuk kam asnjë plan afrimi për lojtarë të tjerë.
– Kë do të cilësonit si ndeshjen më të mirë të pjesës së parë të sezonit?
– Ndeshjen e finales së Kupës së Federatës atë ndaj Tiranës ku përmbysëm nga disavantazhin nga 0-2 në 3-2. Kjo është më e mira për mua.
– Së fundi, cilat janë pretendimet deri në fund të sezonit?
– Të ruajmë renditjen ku jemi megjithëse do të jetë shumë e vështirë. Siç thashë, objektivi është finalja e titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.