Gjergj Vyshka 27.01.2016 11:15
Në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, për dy ditë me radhë, masin forcat me arabët “kampionët” e Shqipërisë, Studenti, si dhe Tirana e Vllaznia. “Al Xhazira Sport Klub” e Abu Dabit në volejboll për meshkuj do të jetë në Tiranë për një turne miqësor. Kjo është me ftesë të klubit shumësportësh “Studenti”, atje ku në ditët e para të janarit drejtuesit e skuadrës arabe kanë pasur një bashkëbisedim me drejtorin e këtij klubi, Blendi Nallbani.
Por nuk duhet harruar edhe bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Volejbollit, sepse arabët, po gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, kanë pasur edhe një bashkëbisedim me presidentin Erlind Pëllumbi dhe sekretarin e përgjithshëm Albens Vokopola. Parë kështu, edhe për të mos i lënë me një pauzë kaq të gjatë skuadrat, është hartuar ky turne miqësor, i cili do të zhvillohet të enjten e të premten, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”.
Bashkë me Studentin dhe “Al Xhazira Sport Klub” i Abu Dabit, do të jenë edhe Tirana e Vllaznia. Që do të thotë se janë marrë ekipet më të mira të volejbollit të meshkujve për të matur forcat me skuadrën arabe. Bashkëpunimi pritet të jetë i gjatë me këtë ekip, sepse do të ketë edhe shkëmbime të vizitave në të ardhmen. Por, tashmë është fakt që turneu miqësor me Al Xhaziran Sport Klub Abu Dabi do të jetë gati për parket.
Kalendari i Turneut Miqësor
Volejboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet
28 janar 2016:
Tirana – Vllaznia (17:30)
Studenti – Al Xhazira (19:30)
29 janar 2016:
Ndeshja për vendin 3-4 (17:30)
29 janar 2016:
Finalja (19:30)