Gjergj Vyshka 04.12.2015 13:25
Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Volejbollit, i mbledhur dje pasdite nën drejtimin e presidentit Erli Pëllumbi, ka shqyrtuar dhe ka marrë disa vendime të rëndësishme për ecurinë e rrjetës shqiptare. Kështu së pari janë miratuar kryetarët e komisioneve të Financës, Tekniko-Arbitrar, Disiplinës dhe Apelit.
Ndërkaq Kryesia e Federatës Shqiptare të Volejbollit i ka dhënë jetë Ligës Amatore për një shtrirje më masive të këtij sporti në vendin tonë. Sakaq Komiteti Drejtues i Federatës ka ngritur një grup pune, e cila do të merret me situatën e qartësimit të shqetësimeve të disa gjyqtarëve.
Sikurse është vendosur edhe për strategjinë e rritjes cilësore të gjyqtarëve që nis nga kategorizimi i tyre. Që do të thotë se në përfundim të aktivitetit dimëror, më 26 dhjetor do të bëhet testimi teorik dhe praktik i këtyre gjyqtarëve. Por ajo që është e rëndësishme është se FSHV-ja ka nisur të jetë me “dorë të hekurt” ndaj dhunës.