Gjergj Vyshka 03.08.2016 14:25
Konflikti mes Vllaznisë dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit, për më tepër shefit të klubit shumësportësh kuqeblu, Mark Kroqi, dhe sekretarit të përgjithshëm të institucionit më të lartë të rrjetës shqiptare duket se nuk ka fund. Në një tjetër “e-mail” drejtuar gazetës “Sport Ekspres”, Kroqi i ka kujtuar Vokopolës se duhet t’i japë përgjigje për gjithçka që ai ka kërkuar dhe një kopje të shkrimit që ka botuar në gazetën “Sport Ekspres”, sepse do t’i drejtohet Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Kuptuar ndryshe, Kroqi nuk beson më tek kjo Federatës. Nuk beson tek miqtë e tij me të cilët ka qenë në Poloni me ekipin kombëtar të femrave në Ligën e Evropës, në një kohë që Vllaznia e basketbollit të meshkujve po shpallej kampion. Dhe e pranon si vërejtje që duhet të ishte aty, ndërsa në një vend tjetër një veprim i tillë do të quhej dhe braktisje e vendit të punës. Mirëpo me teorinë se “nuk janë objekt i këtyre diskutimeve”, Krroqi do të thonte: “Unë kërkoj respekt sepse kam kontribuar që ata të jenë aty”.
“Të zbatojnë ligjin, – vijon ai. – Më gjithë respektin që kam për të tjerët, ato nuk janë të mirë informuar për anën proceduriale ligjore. Presidenti dhe sekretari mund të thërrasin Asamblenë e jashtëzakonshme e të marrin në shqyrtim tarifat. Sa për gjyqtarin, as që e njoh personalisht, por kushdo që të jetë duhet t’i nënshtrohet ankimimit nga ai që e kërkon e jo të thuhet është marrë vendim në një kohë që as nuk janë mbledhur. Sa për qenien time në Poloni, e drejtë dhe e pranoj që duhet të isha në Shqipëri.”
“Por shkova atje për të mos prishur një raport me Federatën Shqiptare të Volejbollit që nuk dua të bëj prezent për momentin”, – ka theksuar shkodrani. Dhe, në këtë logjikë, Kroqi ka pranuar se është i hapur për një intervistë rreth këtyre çështjeve në “Sport Ekspres”, sepse këto gjëra nuk kanë lidhje, sipas tij, me atë që diskutohet. Shkurt, Kroqi po i nxjerr “themelet” Federatës Shqiptare të Volejbollit që nuk dihet se ku do të përfundojë.
Vetëm se ka një të mirë, pala e akuzuar, në këtë rast Federata Shqiptare e Volejbollit, nuk ka për të reaguar më.