Gjergj Vyshka 25.11.2014 14:35
Rrjeta shqiptare në veprimtarinë e dytë të rëndësishme të sezonit 2014-2015. Fituesit e vjetshëm të Kupës së Pavarësisë kanë qenë UMB Volej dhe Studenti. Rrjeta shqiptare është në prag të njërës prej veprimtarive të saj më të rëndësishme, që sivjet është Kupa për 70-vjetorin e Çlirimit të Vendit. Nëse deri vjet ka qenë Kupa e Pavarësisë, e cila gjithnjë ka angazhuar ekipet më të forta, apo katër të parat të renditura në fund të sezonit si për meshkuj, ashtu dhe për femra, sivjet ka ndryshuar termin.
Ajo që duhet pranuar është fakti se pritet të ketë përplasje “brirësh” mes pretendentëve për titull. Madje në kushtet kur kampionati i volejbollit të meshkujve vazhdon deri më 30 dhjetor, atëherë Studenti dhe Tirana, që pritet të jenë finale përballë njëra-tjetrës, duket se do ta nisin serinë e tyre që të enjten për të dalë më pas në ndeshjen e kampionatit të shtunën pasdite në “Farie Hoti”. Për femra ky do të jetë aktiviteti i fundit i vitit 2014 për t’u kthyer më pas në parket në shkurt 2015.
Për të gjithë lexuesit e Gazetës së Sportit, fituesit në fuqi të kësaj kupe të fundit të nëntorit, që deri vitin e kaluar ka qenë Kupa e Pavarësisë, është Barleti Volej për femra dhe Studenti për meshkuj. Sipas të gjitha gjasave kështu duhet të ndodhë dhe sivjet, por nuk duhen mohuar vlerat e ekipeve të Tiranës meshkuj e femra, Teutës meshkuj e femra, Partizanit për femra dhe Vllaznisë për meshkuj, të cilat të gjitha së bashku mbajnë gjallë rivalitetin edhe në kampionat.
Gjithsesi tashmë mbetet ta zgjidhë parketi i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, salla Nr. 2
Kupa e Çlirimit
Volejboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet:
Studenti – Teuta 26 nëntor ora 16:00
Tirana – Vllaznia 26 nëntor ora 18:00
Finalja 27 nëntor ora 17:00
Kupa e Çlirimit
Volejboll – Femra
Gjysmëfinalet:
Barleti Volej – Teuta 28 nëntor ora 16:00
Tirana – Partizani 28 nëntor ora 18:00
Finalja 29 nëntor ora 16:00