Gjergj Vyshka 06.09.2015 15:20
Ideja që kryesia e volejbollit shqiptar nuk mund të votëbesohet është forcuar dhe nga shefi i klubit shumësportësh, Mark Krroqi, që i ka kërkuar të gjithë dorëheqjen. “Për mua problemi është dhe moral, por dhe ligjor, – ka thënë ai. – S’është normale sot që të jetë një borxh kaq i madh, të jetë humbur një gjyq kur nuk je përfaqësuar në asnjë shkallë dhe aq më keq akoma të kesh llogari bankare të bllokuara.”
“Më duhet të them se kryesia brenda nuk ka pasur bashkëpunim, – ka vijuar zyrtari i klubit të Vllaznisë. – Unë e di që në këtë skandal nuk është e përfshirë kryesia, por të të japë Sekretari dorëheqjen e të ngresh duart përpjetë e të thuash s’ka lekë kjo s’është normale. Unë bëj pyetjen pse nuk ka lekë.” Ndërsa Pogoni është munduar të sqarojë në emër të kryesisë për punën e borxheve.
E këtu është ndezur dhe më shumë debati sepse Tase e financierja Metaj (Pirra) janë akuzuar për kërcënim të ish-sekretares Hoxha. “Dokumentet aty kanë qenë dhe ne nuk kemi marrë asgjë”, – ka thënë Tase, kurse anëtarët e kryesisë kanë pranuar se Hoxha ka ikur sepse nuk e përballoi dot.