Gjergj Vyshka 03.08.2016 20:50
Në një tjetër “e-mail” drejtuar gazetës “Sport Ekspres”, Kroqi i ka kujtuar Vokopolës se duhet t’i japë përgjigje për gjithçka që ai ka kërkuar dhe një kopje të shkrimit që ka botuar në gazetën “Sport Ekspres”, sepse do t’i drejtohet Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. “Kërkoj të gjitha dokumentet bashkë dhe me shkrimin që ju keni botuar në Sport Ekspres, sepse do t’i drejtohem Këshillit të Arbitrazhit Sportiv”, – ka thënë zyrtari shkodran. E në këto kushte “Sport Ekspres” e ka botuar atë që Kroqi ka ndaj Sekretarit të Përgjithshëm Vokopola, ndërsa AlbanianSport.com po jua sjell këtu të plotë:
I bindur se do të merrja këto përgjigje nga Sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit ju drejtova para disa ditësh gazetës suaj, sepse kam bindjen se po ndikon pozitivisht për zgjidhjen e këtyre problemeve. E falënderoj sekretarin që gjeti kohën për të dhënë këtë përgjigje publike mbi detyrimin funksional dhe institucional që ai ka ndaj klubeve e shoqatave, të cilat paguajnë taksat në Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe që ai nga një pjesë e tyre merr jo pak, por 600-800 mijë lekë në muaj (nuk e di sa e ka realisht pagën mujore).
Në respekt të shifrave, faturave e sukseseve të deklaruara në artikull po e ripërsëris se as nuk kam qenë dhe as nuk jam kundër pagesave ndaj FSHV-së, madje dhe jam përgëzues ndaj arritjeve dhe rezultateve sportive kohëve të fundit (Megjithë modestinë e tij që lë pa përmendur punën e mirë që ai po bën në Rimini për volejbollin në plazh. Z. Vokopola me shumë saktësi jep shifra financiare të palikujduara nga ne (ku detyrimet për ekipet e të reja dhe të rinjve do të paguhen këtë javë), si dhe jep saktësisht numra të ndryshëm faturash e vendimesh, ndër të cilat edhe një vendim nr. 5, 16.09.2014 dhe kaq!
I nderuar zotëri! Puna e parë që duhej të bëje kur more detyrën (siç thotë Z. Pëllumbi ke qenë më i votuari, megjithëse çfarë hyn vota në emërimin tënd nuk e kuptoj) do të duhej minimalisht të lexoje Ligjin për Sportin dhe statutin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, që me siguri as njërën dhe as tjetrën nuk e ke bërë. Po të rikujtoj se vendimi i përmendur nga ti është një ndër arsyet që ti me shokët tuaj jeni aty ku jenì dhe që ai vendim është kundërshtuar fort nga të gjitha klubet dhe shoqatat. Dhe ju me shokë keni bërë sikur jeni dakord.
Megjithatë, ai vendim nga ana proceduriale do të ngelet përgjithnjë “NUL” përderisa nuk ka marrë miratimin e Asamblesë së Përgjithshme (vendim të cilin nuk e përmend në asnjë rresht të deklaruar në gazetë). Gjithashtu të kam kërkuar të më jepni vendimin e Komisionit të disiplinës për gjykimin e një ndeshje të kampionatit të kaluar pas një ankimimi që kam bërë përmes jush në këtë komision (presidenti deklaron ka një vendim) nga ju s’ka përgjigje. I kërkoj takim presidentit e ju lutem më jepni një përgjigje të pjekur e të sakte: ka apo s’ka vendim???
Zotëri i nderuar nëse ti në ushtrimin e detyrës pranon të besh shkelje administrative, ti e di, por unë nuk kam ndërmend të bëj. Ndaj edhe po t’i kërkoj këto vendime për të legjitimuar veprimet e mia financiare në raport me klubin që drejtoj. Ndaj mos u shqetëso për datën, muajin, kur të ka ardhur kërkesa, por hap e lexo LIGJIN PËR SPORTIN se të ndihmon të mos bësh gabime që kanë kosto jo vetëm morale. Së fundi meqenëse artikulli është me titullin “Vokopola përgjigje zyrtare Vllaznisë”, të lutem ma nis me postë çfarë deklaron në gazetë.
Kjo, sepse më duhen me të vërtetë shkresat tuaja zyrtare, sepse më duhet t’i drejtohem KAS-it. Pasi e shoh se nuk do ose siç thoni ju “tironsit”, “nuk kupto ose bo sikur nuk kupto” çfarë unë ju kërkoj…