AlbanianSport.com 26/02/2018 19:50
ASNN – Mirdita është një zonë që ka spikatur me kontributin e saj në volejbollin shqiptar të femrave dhe aktualisht skuadra e saj po lufton për ngjitjen në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, si shefi i klubit, Kola, ashtu edhe kapitenia Gjini, theksojnë se synimi është rikthimi i kësaj skuadre aty ku ia dikton historia.
Pasi ka mundur 3-1 në fushën e vet Flamurtarin dhe po ashtu Apoloninë, skuadra e volejbollit të Mirditës vazhdon përgatitjet për 3 ndeshjet e mbetura të fazës së dytë të Grupit A2 dhe për shefin e klubit, Mark Kola, synimi mbetet i njëjtë. Fjalëve të Kolës u ka bërë jehonë edhe kapitenia Amarda Gjini.
Mirdita aktualisht kryeson renditjen e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra, që njihet si Grupi A2, me 6 fitore në po aq ndeshje dhe është pretendente kryesore për t’u ngjitur midis më të mirave të rrjetës shqiptare sezonin e ardhshëm.