Gjergj Vyshka 11.10.2015 17:40
I pari i “rrjetës” shqiptare ka marrë 20 vota, ndërkohë që kandidati i dytë për president, Artan Pogoni, është tërhequr nga gara me arsyen se është një farsë zgjedhore. Po kështu është tërhequr nga kandidimi për anëtar kryesie edhe Ilir Cironaku: “Jam në pension”. Erli Pëllumbi është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Volejbollit në zgjedhjet e mbajtura dje në mesditë në mjediset e hotel “Doro City” në kryeqytet. Pëllumbi ka marrë 20 vota, ndërsa 5 të tjera kanë qenë të pavlefshme.
Ndërkohë përpara votimit të delegatëve është tërhequr nga kandidimi ish-anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Volejbollit, Artan Pogoni, i cili ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e kësaj zgjedhje farsë që po bëhet për forumet drejtuese të volejbollit shqiptar. “Është një zgjedhje jo ligjore dhe me sinqeritet e them që në këto kohë të fushatës nuk kam parë dhe nuk kam ndjerë asnjë frymë bashkëpunimi apo bon sens nga një pjesë e komunitet”, – ka deklaruar ai.
“Në të tilla kushte tërheq kandidaturën time për president”, – ka përfunduar Pogoni, i cili më pas ka lënë sallën ku po zhvillohej asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Sakaq më parë ishte tërhequr nga kandidimi për president edhe Kreshnik Tartari. Kështu që zgjedhja e Pëllumbit presidenti i volejbollit shqiptar në mungesë të kandidaturave të tjerave ka qenë më shumë se sa e detyruar për komunitetin e rrjetës shqiptare. Që
për shkak të problemeve të mbartura, që janë borxhet ndaj palëve të treta pikërisht hotel “Tirana-International” dhe gjyqtarëve, është në një kaos total. Por ka pasur edhe një dorëheqje tjetër që është ajo e Ilir Cironakut nga kandidimi për anëtar kryesie, sepse ka pohuar se është në pension dhe nuk mund të jetë në organet drejtuese. Kryesia e re do të përbëhet nga Anastas Xharja (20 vota), Anila Hoxha (20 vota), Dashamir Brari (20 vota), Albens Vokopola (20 vota), Sokol Halili (18 vota), Gentiana Nicaj (17 vota).
Po kështu nuk u votua as Gjergj Pishtari, i cili mori vetëm tre vota, ndërsa pesë fletë votimi kanë qenë të pavlefshme. Tashmë pritet që të zgjidhet sekretarja e përgjithshme, si dhe të hidhet shorti për edicionin e ri të volejbollit shqiptar, që duhet të fillojë më 24 tetor.