AlbanianSport.com 13.01.2017 21:15
ASNN – Ashtu sikundër në futboll, edhe në volejboll ka nisur periudha njëmujore e merkato së janar. Ajo ka nisur zyrtarisht në datën 1 janar, por hapësira për të korrigjuar gabimet apo për të mbushur boshllëqet e krijuara rrugës në një nga sportet më popullore të lojërave me dorë, nuk ka dhënë shenja jete.
Rivaliteti i madh që është parë këtë sezon sugjeron se skuadrat do të tentojnë të bëjnë përforcime gjatë merkatos së janarit, e cila do te zgjasë deri më datën 31 të këtij muaji. Dhe, si gjithnjë synohet tregu i huaj, kryesisht ai ballkanas apo lindor, për të afruar lojtarë cilësorë dhe që garantojnë objektivat.
Për momentin, asnjë transferim nuk është zyrtarizuar pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit, por lëvizjet e para të klubeve kanë nisur. Një braziliane ka mbërritur tek Partizani në volejboll për femra. Bëhet fjalë për Melisa Ortega Romano, 22 vjeç, 1.77 metra e gjatë, e cila luan në rolin e organizatores.
Deri në dhjetor, ajo ka qenë pjesë e Dritës së Gjilanit. Madje në këtë skuadër, të paktën edhe sipas lëvizjeve dimërore të sezonit të kaluar në volejbollin kosovar, ka mbërritur nga Skënderaj i Kosovës. Ndërkaq, tek meshkujt, trajneri i Farka Volejit, Dritan Bardhim e hodhi poshtë mundësinë e përforcimeve.
“Me sa kam dëgjuar të tjerët janë duke bërë përforcime me lojtarë të huaj”, – ka thënë ai. I pyetur se jemi në merkaton e dimrit dhe nëse do të kërkonte ndonjë element shtesë për përforcim, ai është përgjigjur: “Jo, sepse nuk i kemi këto mundësi. Më pëlqen të luaj me djemtë e mi. Kështu që nuk kam asnjë plan afrimi për lojtarë të tjerë.”
Thuhet se ekipet kanë nisur jo vetëm të monitorojnë lojtarët e huaj, por edhe t’i afrojnë ato për t’i testuar. Lëvizjet më të mëdha priten te meshkujt, ku dhe rivaliteti është më i madh, por nuk mbeten pas edhe skuadrat e femrave. Megjithëse ka ende kohë, edhe mëse dy javë të tjera, merkatoja e rrjetës mbetet e varfër.