Gjergj Vyshka 05.01.2016 16:05
Nga Minatori tek Partizani, më pas tek Tirana, përsëri tek mirditoret për t’u akomoduar tek Barleti Volej. Trajneri shijakas deri më tani numëron tre tituj “kampion”, pa harruar të gjitha trofetë e tjera të fituara. AlbanianSport.com do t’ju sjellë këtu në 4 pjesë profilin që bashkëpunëtori ynë, Gjergj Vyshka ka përgatitur për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres” dhe sot është pjesa e parë.
Hasan Gurabardhi, trajneri aktual i Barleti Volejit, që është kampione në fuqi dhe fituese e Kupës së Shqipërisë, bën dhjetë vjet si trajner që udhëheq skuadra femrash. Një kapiten që ka pasur një karrierë të gjatë me Erzenin e Shijakut në volejboll për meshkuj, jo pak, por 28 vjet, nuk e kishte menduar asnjëherë që do të ishte kaq gjatë trajner i skuadrave të femrave.
Dhe për më tepër që me Erzenin si lojtar i kishte fituar tre tituj “kampion” në sezonet 1996-1997, 1997-1998, 1998-1999 nuk mund t’i shkonte në mendje që drejtimi i një skuadre do të ishte në të kundërt të asaj që kishte bërë si lojtar. “Unë e kam lënë volejbollin, – nis të rrëfehet Gurabardhi për “Sport Ekspres”, – në moshën 43 vjeç. – Më saktë në përfundim të sezonin 2000-2001.”
“Me Erzenin i kisha përmbushur të gjitha detyrimet, sepse përpos tre titujve “kampion” kam fituar dhe dy kupa të Shqipërisë, tre Kupa të Federatës, – vijon ai. – Dhe kulmi ishte kalimi i turit në Kupat e Evropës ndaj moldavëve të Moldavia Hilband, ndërsa në ndeshjen në fushë të huaj, kam qenë edhe lojtari më i mirë. Jo për t’u mburrur, por në karrierën time si lojtar kam edhe një titull “kampion” me të rinjtë e Lokomotivës në sezonin 1976-1977, ndërsa sfidonim Dinamon e madhe.”
“Pra e gjithë kjo karrierë me meshkujt doemos që më çonte në mendje idenë për trajner i djemve”, – thotë Gurabardhi. Dhe në fakt është, sepse me thirrjen e shefit të klubit shumësportësh Studenti, Sabri Avdiu, Gurabardhi do të ishte ndihmëstrajneri i të rriturve përkrah Ylli Tomorrit për gati 3 sezone; 2002-2003, 2003-2004 dhe 2004-2005. “Ishim kampion në të gjitha drejtimet dhe hyra për të nisur një karrierë të gjatë si trajner me djemtë”, thotë Gurabardhi. Por…
Vijon nesër…