AlbanianSport.com 22/12/2018 16:10
ASNN – Trajneri veteran i volejbollit të femrave, Hasan Gurabardhi, do të tërhiqet në fund të këtij sezoni nga drejtimi i skuadrës së Barleti Volejit, pas plot 7 vitesh në krye të këtij ekipi, me shumë suksese të rëndësishme. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, Gurabardhi, theksoi se skuadra e tij vijon të jetë në nivele të larta dhe pretendente për trofetë, duke pasur besim se Barleti Voleji do të rivalizojë deri në fund me skuadrat e Mirditës, Tiranës dhe Partizanit për titullin “kampion”.
“Mund të them që jam i kënaqur, pasi skuadra i ka tejkaluar edhe parashikimet që unë kasha bërë në fillim të sezonit, – u shpreh për të përditshmen në fjalë trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi. – Siç e dini, ne na u larguan katër lojtare titullare që ishin pjesë e skuadrës në sezonin e shkuar. Këto lojtare ne u përpoqëm që t’i zëvendësonim me volejbolliste të reja. Deri në këto momente, ekipi i ka tejkaluar pritshmëritë që ne kishim këtë edicion.”
“Sezonin e nisëm me një turne ndërkombëtar në Strumicë më 7-9 shtator, – vijoi trajneri i Barleti Volejit, – ku fillimisht mundëm dy skuadrat maqedonase e më pas triumfuam në finale ndaj Partizanit të Beogradit me rezultatin 3-1. Më pas fituam Kupën e Federatës, një aktivitet ku morën pjesë katër skuadrat më të mira dhe ku në gjysmëfinale mundëm Tiranën, ndërsa Partizanin e mundëm në finale. Edhe në kampionat ne jemi brenda objektivave, ku renditemi në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se Mirdita kryesuese. Jam shumë i kënaqur për ecurinë, pasi kemi mundur dy skuadra rivale si Mirdita dhe Tirana, e kemi humbur vetëm ndaj Partizanit.”
Në fund trajneri Hasan Gurabardhi flet për objektivat dhe për mbylljen e rolit të tij si trajner në krye të skuadrës së Barletit. “Ky është sezoni im i shtatë në krye të skuadrës së Barletit Volej dhe gjithmonë kemi luftuar për trofe. Pas trofeut të parë sezonal që ishte Kupa e Federatës, ne do të synojmë të fitojmë edhe Kupën e Republikës, si dhe të shpallemi kampion në fund të sezonit. Gjithsesi, sido që të mbyllet, ky do të jetë sezoni im i fundit në krye të Barletit”, – shtoi në intervistën e tij trajneri i njohur i volejbollit të femrave, Hasan Gurabardhi.