AlbanianSport.com 20.04.2016 21:15
ASNN – Eliminimi i Vllaznisë në fazën gjysmëfinale të “play-off”-it për titullin “kampion” të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj ka çuar në një sërë polemikash, që kanë kulmuar me akuzat personale që Shefi i Klubit Shumësportësh “Vllaznia”, i ka bërë gjyqtarit të ndeshjes së kthimit me Tiranën, Eduart Preka.
Këto akuza, që aludonin se Preka kishte gjykuar nën efektin e konsumit të alkoolit, kanë çuar në reagimin e gjyqtarëve dhe është ndërkombëtari Erjon Mujo ai që ka bërë thirrje për ndërgjegjësim të opinionit sportiv për këtë çështje, duke zgjedhur madje edhe një “lajtmotiv” interesant për këtë çështje.
“UNË JAM EDUART PREKA!”, është lajtmotivi i reagimit të gjyqtarit ndërkombëtar të volejbollit, i cili, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, shkruan: “Të nderuar kolegë, duke marrë shkas nga shkrimi i turpshëm dhe i rremë i shefit të klubit “Vllaznia” ndaj kolegut tonë, Eduart Preka, unë personalisht ndihem i fyer, sepse mund të isha unë në vend të tij.”
“Besoj edhe ju jeni prekur nga (ajo çfarë Krroqi aludonte tek) ai shkrim absurd, – ka vijuar “bilbili” i rrjetës shqiptare. – Në të shkuarën, kemi reaguar për goditjen ndaj kolegut tonë, Igli Fështi, në ndeshjen finale UMB Volej-Partizani, para afro 3 vitesh. Besoj që edhe sot duhet të reagojmë ndaj kësaj shpifjeje, që ndoshta është dhe më e rëndë se goditja fizike.”
“Edhe pse jemi pjesë e FSHV-së, ne duhet të reagojmë si grup, si një skuadër, pavarsisht mendimeve kundër qe kemi pasur dhe do të kemi për çështje të ndryshme, sepse kjo është një çështje që na prek të gjithëve, sepse nesër mund të jetë dikush nga ne pre e shpifjeve.”
“Shefi i klubit sportiv “Vllaznia” minimalisht duhet të kërkojë falje publike ndaj kolegut tone dhe gjithashtu ndaj FSHV-së, pasi imazhi ynë është edhe imazhi i FSHV-së. #unejamEduartPreka”, – përfundon reagimi i gjyqtarit ndërkombëtar të volejbollit, Erjon Mujo.