Gjergj Vyshka 08.10.2015 12:35
Të shtunën, në ora 11:00, në mjediset e Hotel “Doro City”, do të zhvillojë zgjedhjet e reja për president dhe kryesi. Në garën për president, të paktën edhe sipas asaj që kanë propozuar klubet, ishin Erlind Pëllumbi, Kreshnik Tartari dhe Artan Pogoni.
Por pikërisht një ndër figurat më legjendare të volejbollit të femrave me Dinamon dhe Kombëtaren, apo dhe një ndër themeluesit e ekipit të Aulona Volejit, kthyer më pas në Universiteti “Marin Barleti” dhe tanimë “Barleti Volej”, Kreshnik Tartari është tërhequr.
Arsyet nuk bëhen të ditura, ndërsa mësohet se tashmë në garë kanë mbetur Pëllumbi e Pogoni. Sakaq për anëtarë të kryesisë nga klubet do të votohen: Albens Vokopola, Dashamir Brari, Ilir Cironaku, Gentiana Nicaj, Anastas Xharja, Anila Hoxha dhe Sokol Halili.
E prej tyre më pas do të dalë dhe kandidatura për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit i lënë bosh pas dorëheqjes së Leonard Tases dhe Anila Hoxhës, e cila sot kandidon për anëtare kryesie.
E vërteta është se Federata Shqiptare e Volejbollit për shkak të borxheve në një shumë prej 11.000.000 lekësh të rinj ndaj gjyqtarëve dhe hotel “Tirana-International” është e bllokuar.
Dhe për rrjedhojë dhe aktivitetet kanë mbetur varur, ndërsa është thënë që kampionatit do të nisi më 24 tetor.