AlbanianSport.com 26/11/2018 18:15
ASNN – FSHV-ja, seminar me trajnerët e moshave dhe gjyqtarët për risinë me dy pasues dhe të rejat në gjykim. Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), në përfundim të fazës së parë të Kampionatit Kombëtar, në të gjitha kategoritë, pra, të rritur, të rritura, të rinj dhe të reja, organizoi seminarin tekniko-gjykues me të gjithë aktorët e këtij sporti, trajnerë e gjyqtarë. Ky seminar, që u zhvillua përgjatë gjithë ditës së diel, u mbajt në mjediset e Parkut Olimpik të Tirana, në kryeqytet me një pjesëmarrje masive.
Në të mori pjesë edhe Zëvendës-Presidenti i FSHV-së, Dashamir Brari, i cili, në fjalën e tij, shprehu rëndësinë e këtij seminari, për mesazhin që ai përcjell te gjyqtarët e trajnerët me ndryshimet në lojën e volejbollit, duke u fokusuar te përhapja e këtyre risive edhe në volejbollin tonë. Seminari kishte disa qëllime të rëndësishme për FSHV-në. Njëri prej tyre ishte prezantimi i procedurës së lojës me dy pasues tek ekipet e moshave, seminar që u krye me gjyqtarët dhe trajnerët e ekipeve të moshave të cilët ishin të pranishëm.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHV-së, Albens Vokopola, prezantoi këtë ndryshim në rregulloren e lojës, duke dhënë informacionin e nevojshëm për këtë risi që do të zbatohet në kampionatet e moshave për këtë sezon sportiv. Ky rregull do të mundësojë që të rritet numri i pasuesve (organizatorëve) e për rrjedhojë të rritet edhe niveli i tyre. Më pas, fokusi i këtij seminari u përqendrua te gjyqtarët, ku u trajtuan tema të ndryshme që kanë lidhje me rritjen profesionale të gjyqtarëve.
Këto tema prekën çështje të rëndësishme në lidhje me përgatitjen, menaxhimin e ndeshjes, komunikimin mes gjyqtarëve gjatë ndeshjes, masat ndëshkuese konform rregullores, etj. Këto tema u trajtuan nga gjyqtarët ndërkombëtare Igli Fështi, Konalsi Gjoka dhe Endri Zguri. Më tej, ky seminar me gjyqtarët vijoi me një trajnim të detajuar në lidhje me mbajtjen e protokollit manual dhe elektronik gjatë ndeshjes, detyrat e sekretarit, etj.
Në fund, të gjithë gjyqtarët iu nënshtruan një testi teorik në lidhje me njohuritë e fituara. Nuk mungoi edhe një trajnim i veçantë me një grup gjyqtarësh të rinj, që i janë afruar së fundi kolegjiumit dhe që bashkëpunojnë me FSHV-në në evente të ndryshme.