Gjergj Vyshka 03.02.2017 07:05
Radio Televizioni Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Volejbollit kanë formalizuar dje marrëveshjen e tyre, që lidhet me transmetimin e veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare të rrjetës shqiptare. Firmat zyrtarisht për këtë memorandum bashkëpunimi janë hedhur nga drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Gëllçi ka vlerësuar faktin që marrëveshja me volejbollin është një vlerë e shtuar për institucionin që ai drejton. “Sepse, – tha Gëllçi, – rrit gamën e veprimtarive sportive kombëtare, ndërsa ky është qëllimi i Radio Televizionit Shqiptar, shtimi dhe transmetimi i të gjitha aktiviteteve sportive”. Ndërkohë për presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, një marrëveshje, e cila do të ndihmojë në masivizimin e këtij sporti në Shqipëri.
“Edhe duke u transmetuar në kanalin e posaçëm sportiv që RTSH ka për sportin kjo do të thotë shumë, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar. – Aq më tepër që jemi përpara një morie veprimtarish, jo vetëm kombëtare, por dhe ndërkombëtare.”, Shqipëria do të jetë mikpritëse e një prej dy stacioneve të Ligës së Evropës.
Për femra, përballë do të ketë Bjellorusinë, Austrinë dhe Finlandën, dhe ndeshjet në Shqipëri luhen nga data 9, deri më 11 qershor 2017, kurse për meshkuj kur do të jetë përballë Maqedonisë e Suedisë dhe ndeshjet luhen nga data 23, deri më 25 qershor 2017.