Gjergj Vyshka 04.06.2017 15:30
Më pas ka qenë fjala për trajnerët Altin Martiri dhe Jani Melka, të cilët kanë pasur stafin e tyre përkrah. Për kombëtaren e femrave, e cila i nis ndeshjet më 9 qershor 2017 në sallën e Parkut Olimpik, shqetëson dëmtimi i Sindi Marinës. “Sigurisht që ne i kemi parë kundërshtarët tanë në Eliminatoret e Botërorit, pra Bjellorusinë, Finlandën dhe Austrinë”, – ka thënë Martiri.
“Vijnë me një përvojë dhe një numër më të madh ndeshjes se ne, por ne mendojmë se do të bëjmë më të mirën tonë, pse jo, të marrim dy fitore dhe më pas të mendojmë për të arritur kalimin e turit në grupin tjetër në Bjellorusi, – ka vijuar ai. – Mendoj se kemi bërë përzgjedhjen më të mirë, midis lojtareve më të spikatura të kampionatit dhe atyre që vijnë nga jashtë.”
“Ndaj dhe nisur dhe ajo çka kemi bërë më parë në Ligën e Evropës, apo dhe nga turneu miqësor që kemi pasur në fundin e vitit 2016 në Luksemburg, mendoj se do të bëjmë gjithçka mirë”, – ka shtuar ai. Ndërkohë e ëma e Sindi Marinës, Kristina Nikolli, ka shpjeguar dhe përvojën e saj. “Vitin e kaluar e kam parë si prind dhe si tifoze nga jashtë ekipin kombëtar”, – ka thënë ajo.
“Kurse tani jam brenda stafit, – ka vijuar ish-volejbollistja e Vllaznisë. – Vlerësoj punën që po bën trajneri i parë, Altin Martiri së bashku me të gjithë stafin dhe lojtaret. Unë jam munduar që t’i jap përvojën time si trajnere në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj se do t’ia dalim me sukses”.