Gjergj Vyshka 28.04.2016 20:15
Trajneri i Studentit, Ylli Tomorri, i gëzohet titullit të 5-të “kampion” radhazi dhe të 16-tit me këtë ekip që ka më shumë se 35 vjet që e drejton. Në përfundim të sfidës kundër Tiranës, Tomorri e analizoi në këtë mënyrë rrugëtimin e skuadrës tij drejtë triumfit: “Jam vërtetë shumë i lumtur për këtë fitore. Në sport fiton gjithmonë ai që sakrifikon më shumë dhe ka disiplinën e punës.”
“Pa këto dy faktorë nuk mund të jesh i suksesshëm dhe Studenti i ka. Ky është çelësi ynë i suksesit”, – vijoi më tej trajneri i kampionëve të rikonfirmuar, i cili shtoi: “Merita e fitores së Studentit është e grupit të lojtarëve, klubit dhe çdo individi që është përkushtuar për këto arritje, askush nuk mund të mbaj gjëra personale. Jam shumë i lumtur nga ky grup.”
“Pas një fillim sezoni të vështirë dhe me shumë probleme në fund bëmë atë ishte kryesorja për të fituar: luajtëm me lojtarët e vjetër, – ka theksuar Tomorri. – I ruajtëm deri në fund dhe ky ishte shpërblimi më i madh”. Ndërsa lidhur me të ardhmen e tij, atje ku është menduar dhe një krijim i Partizanit në volejboll për meshkuj, gjë që duket shumë e afërt, Tomorri tha: “Ndoshta ka mundësi që të lëviz”.
“Si fillim duhet të shikoj pozicionin e klubit dhe të bisedoj me ta. E më pas do të vendos për të ardhmen time. Tani dua të shijoj festën e titullit, kemi kohë për të diskutuar mbi të ardhmen”, – ka përfunduar trajneri i Studentit, Ylli Tomorri.