Gjergj Vyshka 14.04.2016 07:05
Tirana në volejboll për femra në gjysmëfinalen e parë të “play-off”-it për titullin “kampion” ka hequr të “zijtë e ullirit” me Skënderbeun. Korçaret në dukje pak të interesuara për të vajtur më larg se vendi i tretë në këtë kampionat kanë qenë gati për të bërë gjëmën. Eleni Bego, por dhe Shahu gjatë gjithë kohës e mbajnë në lojë ekipin e Tatjana Marashit. Madje kanë qenë shumë pranë fitimit dhe të setit të tretë.
Por pikërisht në momentet e tyre më të mira së pari dëmtohet organizatorja Grabocka e së dyti më pas, përtej përpjekjeve titanike të Begos e Shahut, por dhe Koles e Demirajt, me organizatoren Nastaz gjërat nuk kanë ecur sipas dëshirës së korçareve. Shkurt Skënderbeu nuk ka mundur dot ta bëjë atë hap të madh që do të sillte surprizën në gjysmëfinalet për titull “kampion”.
Ndërsa Tirana ka fituar dje edhe duke mos luajtur mirë, apo në pritshmëritë maksimale. Sidomos prej bardhebluve, pas asaj fitoreje spektakolare të së shtunës ndaj Barletit Volej, pritej tjetër gjë. Por ndoshta nënvlerësimi, apo dhe euforia, ka bërë punën e vet. E më pas është kërkuar përvoja që i ka dhënë Tiranës mes shumë vuajtjeve fitoren në ndeshjen e parë me Skënderbeun.