Gjergj Vyshka 17.03.2017 08:10
Kryesfida e javës së 12-të në volejboll për femra është Teuta-Barleti Volej, e cila do të zhvillohet të shtunën në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Deri më tani skuadra e trajnerit Hasan Gurabardhi ka fituar 3 herë, 3-1 në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, 3-2 në kampionat dhe 3-0 në Kupën e Shqipërisë, faza eliminatore. Barleti Volej deri më tani nuk njeh asnjë humbje dhe si e tillë kështu kërkon ta mbyllë të gjithë sezonin.
Sipas trajnerit të Barletit Volej, Hasan Gurabardhi, do të bëhet gjithçka për të fituar këtë sfidë në Durrës. “Teuta, Partizani dhe Tirana janë rivalet tona për titull “kampion”, – ka thënë ai. – Edhe dy javë vjen “play-off”-i dhe ne duhet të bëjmë detyrën tonë mirë në Durrës, edhe pse do të jetë e vështirë. Barleti Volej do të vazhdojë të jetë e pathyeshme, ndonëse me largimet e Bicit, Thakës dhe Xhixhës në verë të gjithë na shihnin si të pafuqishëm.”
“Por ky ekip është surprizë për këtë sezon, – ka vijuar trajneri i kampioneve në fuqi. – Do të mundohemi ta mbyllim sezonin pa asnjë humbje. Ajo që duhet theksuar është se rivalët tanë janë forcuar. Partizani është ndryshe nga faza, Teuta, e kthyer tashmë në një “mace të zezë” për ne, është e tillë. Kështu që të gjithë duhet t’i respektojmë”. Pyetjes së Sport Ekspres se kujt i frikësohet më shumë për titullin “kampion”, Teutës apo Partizanit, Gurabardhi do t’i përgjigjej: “Në gjysmëfinale do të luajmë me Tiranën”.
“Partizani do të rivalizojë me Teutën dhe pavarësisht se cili prej tyre del në finale, do të jetë një rival i fortë për ne. Ne do të po mundohemi të punojmë fort sepse kemi investuar për këtë punë”, thotë Gurabardhi, i cili në fund ka dhe një dedikim për sponsorët e ekipit. “Ne çdo sukses ia dedikojmë presidentit tonë Gafurr Duda, por dhe Rogert Huqi, të cilët janë shumë të rregullt dhe imponues me financat dhe me të gjitha mbarëvajtjen e ekipit”, përfundon Gurabardhi.
Kështu Teuta-Barleti Volej është kryesfida e javës së 12-të në volejbollin e femrave, të premten në ora 16:00.