AlbanianSport.com 22/10/2018 23:55
ASNN – Censurohet fotoja e përfaqësueses italiane të rrjetës së femrave. Dy volejbollistet femra me ngjyrë mbulohen nga sponsori. Plasin reagimet në rrjetet sociale ndaj kompanisë së ujit të pijshëm, që sponsorizon dy ekipet kombëtare të volejbollit, meshkuj dhe femra në Itali. Irritimin e njerëzve e ka shkaktuar një foto e postuar nga kjo kompani, e ekipit të volejbollit të femrave, nënkampione bote.
Për të festuar suksesin e arritur nga përfaqësuesja e femrave të Italisë në Botërorin japonez, të cilat arritën deri në finale, e titulli iu iku nga duart në momentin e fundit, duke u fituar nga Serbia, kompania e ujit ka postuar në rrjetin social “Twitter”, foton e vajzave “axurre”, duke i falenderuar për arritjen në Botëror. Por sa keq, që shishja e ujit e përfshirë në fotomontazh, ka mbuluar pikërisht dy volejbollistet me ngjyrë, të përfaqësueses italiane, Paola Egonu e Miriam Sylla.
Rastësi apo jo, s’dihet, por fakti ka bërë që të shpërthejnë reagimet e qindra ndjekësve në rrjetet sociale. Impakti i parë duket si një grafikë e realizuar keq, me një program të shkarkuar për të luajtur nipi i mërzitur. Çfarë do të thotë publikimi i një foto me të gjitha vajzat e kombëtares dhe të mbulohen vetëm ato dy me ngjyrë? Ka ndonjë racizëm? Pse kur publikohet foto e kombëtares së meshkujve duken të gjithë? Duket e çuditshme.