AlbanianSport.com 30.12.2016 20:45
ASNN – Shqipëria po merr pjesë në turneun miqësor ndërkombëtar të volejbollit për femra në Luksemburg, quajtur ndryshe “Novotel Cup 2017” dhe sonte vajzat kuqezi kanë gjetur fitoren e parë, duke triumfuar në 3 sete ndaj përfaqësueses vendase.
Megjithatë, nuk ka qenë një fitore e lehtë për skuadrën e trajnerëve Altin Martiro dhe Roland Tarja, pasi luksemburgaset kanë luftuar pikë për pikë dhe të 3 setet kanë patur nevojë për pikët shtesë.
Kështu, seti i parë është fituar nga vajzat kuqezi, me shifrat 26-24, ndërsa i dyti ka qenë një betejë epike dhe Shqipëria arrin të triumfojë në atë betejë nervash, duke e marrë setin në shifrat 30-28.
Përtej të qenit në dy sete disavantazh, Luksemburgu ka luftuar fort edhe në setin e 3-të, duke kërkuar ta hapë ndeshjen, por kombëtarja shqiptare e vajzave të rrjetës ka ruajtur përqendrimin, duke e fituar edhe këtë set, 26-24, dhe gjithë ndeshjen 3-0.
Në takimin tjetër të zhvilluar sot, Norvegjia ka korrur fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur në 3 sete Lihtenshtejnin. Përveç setit të parë, që ka patur rivalitet dhe është fituar nga nordiket 25-23, dy setet e tjera kanë qenë “procedurë”.
Norvegjezet i kanë fituar ato përkatësisht 25-17 dhe 25-10 dhe gjithë ndeshjen 3-0, duke marrë kreun e renditjes së kësaj veprimtarie me pikë të plota 6, tri më tepër sesa Shqipëria e vendit të dytë.
Vajzat kuqezi e patën nisur me humbje mbrëmë këtë turneun miqësor, pasi në përballjen me Norvegjinë, ato kanë bërë rezistencë, por jo aq sa për të përmbysur. Norvegjezët i kanë fituar dy setet e para 25-19 dhe 25-21.
Skuadra e Martiros dhe Tares nuk dorëzohet dhe duke qenë në udhëheqje të rezultatit ia kanë arritur që të fitojnë setin e tretë 17-25. Madje dhe në të katërtin kanë qenë në udhëheqje deri në 19-21.
Ka barazuar Norvegjia në 21-21 dhe më pas në epërsi 24-21. Afrohen vajzat kuqezi deri në 24-23. Por në fund vjen pika e nevojshme e Norvegjisë, që fiton 25-23 dhe krejt ndeshjen 3-1.
Ndonëse ndeshjet e kësaj veprimtarie vijojnë deri të dielën pasdreke, vajzat kuqezi e mbyllin atë të shtunën ndaj Lihtenshtejnit, me ndeshjen që nis në ora 10:00, duke shpresuar në një tjetër fitore.
Turneu Miqësor Ndërkombëtar
i Volejbollit – Femra
“Novotel Cup 2017” – Luksemburg
Të enjten:
Norvegji – Shqipëri 3-1
(25-19, 25-21, 17-25, 25-23)
Të premten:
Norvegji – Lihtenshtejn 3-0
(25-23, 25-17, 25-10)
Luksemburg – Shqipëri 0-3
(24-26, 28-30, 24-26)
Të shtunën:
Lihtenshtejn – Shqipëri (10:00)
Luksemburg – Norvegji (12:00)
Të dielën:
Luksemburg – Lihtenshtejn (14:30)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Psh-Pp Pikë
- Norvegjia 2 2 0 6-1 167-138 6
- Shqipëria 2 1 1 4-3 170-168 3
- Luksemburgu 1 0 1 0-3 76-82 0
- Lihtenshtejn 1 0 1 0-3 50-75 0