AlbanianSport.com 07/06/2018 13:50
ASNN – Vajzat kuqezi “viktimizojnë” Gjeorgjinë, vjen fitorja e pestë. Luhet pa Bicin, por pjesa tjetër e skuadrës, shto këtu dhe Xhekën, Rexhepin e Kushin kanë bërë gjithçka mirë. Veçanërisht në setin e tretë. Shqipëria e volejbollit të femrave ka “viktimizuar” dhe Gjeorgjinë dhe e ka mbyllur fazën e grupeve të Ligës së Argjendtë të Evropës me 5 fitore dhe një humbje.
Një ndeshje në të cilën trajneri Altin Martiri ka pasur luksin për të luajtur dhe me lojtare të tjera, sepse kualifikimi ishte fiksuar që pas ndeshjes 3-1, të fituar me Izraelin më 30 maj 2018. Ka munguar Bici, teksa sipas stafit teknik është e dëmtuar, ndërsa janë aktivizuar dhe Picaku, Malvina Tuci, Rexhepi, Kushi e Xheka, teksa është parë mundësia e shfrytëzimit maksimal të stolit.
Gjeorgjia ka rezistuar vetëm setin e tretë, kurse në dy të tjerat është shfaqur një skuadër amatore. Në fakt Martiri ka tentuar të luajë me Bicin si titullare, por në një fraksion sekonde e ka hequr dhe ka futur titullare Picakun. Loja shpërthen që në fillim, me një kapitene frymëzuese si Arjola Prenga, apo dhe Marinën, e cila është mirë në çdo drejtim.
Mjafton të përmendesh dy shërbimet e saj me pikë, apo dhe dy ngecjet dhe kupton që ka qenë në formën e saj maksimale. 4-0, 8-1 dhe në fund seti i parë nuk ka shumë histori, sepse ka përfunduar 25-14. Ka nisur me një epërsi të Gjeorgjisë i dyti, me shifrat 4-8. Por Shqipëria, me një epërsi të pjesshme, 5-1, fillimisht ka barazuar në 9-9. Më pas 13-1 thellon në 17-9 dhe në përfundim 25-13.
Edhe seti i tretë ka nisur me epërsinë kuqezi 8-4. Por Gjeorgjia përmbys në 10-12, 12-16, 15-17. Dhe me shumë vështirësi ia kemi dalë të fitojmë 26-24, ndërsa del në evidencë kapitenia Prenga, dhe 3-0. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ka qenë Arjola Prenga, me 20 pikë. Në bllok ka dalë fituese Arjola Prenga me 4 mure të suksesshme.
Por edhe Sava Thaka me 3 mure fituese, apo dhe Ana Batsatshvili e Gjeorgjisë me 3 të tilla. Në shërbim janë dalluar Marina dhe Rexhepi të Shqipërisë, si dhe Batsatshvili dhe Kalandadze, me nga dy të suksesshme secila. Përfundimisht Shqipëria ka fituar 3-0 me Gjeorgjinë, ndërsa ka ngjarë si një ndeshje kampionati.
Shqipëri – Gjeorgji 3-0
(25-14, 25-13, 26-24)
Shqipëria: Bici, Esmeralda Tuci, Marina, Arjola Prenga, Thaka, Sejfullai (L), Amarilda Prenga / Picaku, Xheka, Rexhepi, Kushi, Malvina Tuci. Trajner: A. Martiri
Gjeorgjia: Koraevi (L), Batsatsashvili, Gaprindashvili, Sosnovskaja, Kalandadze, Markarashvili, Tshautshidze / Ulumbelashvili, Diasamidze, Shelidze. Trajner: P. Ulumbelashvili
Gjyqtarë: V. Vaseliadis (Greqi), I. Fështi (Shqipëri)
Ndihmës: K. Tota, L. Nurçe, G. Ahmetaj, E. Kurti (Shqipëri)
Liga e Argjendtë e Evropës
Volejboll – Femra
Grupi B
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Austria 6 5 1 17-6 16
- Shqipëria 6 5 1 15-6 14
- Izraeli 6 1 5 6-16 3
- Gjeorgjia 6 1 5 5-15 3
Gjysmëfinalet:
Estoni – Shqipëri
Suedi – Austri