Gjergj Vyshka 22.06.2016 11:45
Sava Thaka në Poloni, ndërsa ka firmosur për KSZO Ostroviec. Një vit kontratë, ndërsa qendra e Barletit Volejit dhe Kombëtares së Shqipërisë do të jetë pjesë e skuadrës polake që nga 15 gushti kur dhe të nisin përgatitjet për sezonin e ri. KSZO Ostroviec përveç pjesëmarrjes në kampionatin dhe Kupën e Polonisë, do të jetë pjesëmarrëse dhe në Kupat e Evropës. E kjo është një vlerë e shtuar për Sava Thakën, e cila ka qenë një ndër bllokueset më të mirat të kampionatit, të paktën për këtë sezon.
Fillimisht tek Tirana e më pas dhe tek Barleti Voleji, ndërsa edhe pse ka qenë e dëmtuar në kavilje ia ka arritur me sukses të luajë në Ligën e Evropës në të tre ndeshjet e raundit të parë në Poloni. Kaq ka mjaftuar dhe loja e Thakës ka rënë në sy të polakëve, që menjëherë kanë nisur kontaktet me korçaren, e cila, pa një e pa dy, ka pranuar ta provojë këtë eksperiencë si një mundësi për një rritje cilësore. Me kontratën në dorë ajo ka qenë dje në një takim me trajnerin e Barletit Volej, Hasan Gurabardhi, i cili i ka uruar suksese.
Ndonëse do të jetë e vështirë të mbushet “gropa” e saj në skuadrën kampione në fuqi. Thaka bëhet shqiptarja e parë në kampionatin profesionist të Polonisë, që do të thotë se kombëtarja e volejbollit të femrave ka pasur vlera. Jo vetëm me lojtaret që aktivizohen jashtë vendit që nga Sindi Marina, Ariola Prenga e Amarilda Prenga, por dhe me lojtaret e kampionatit. E Thaka është një shembull konkret. “Sigurisht që më ka ardhur si befasi”, – thotë Thaka.
“Kjo sepse të them të drejtën kam bërë vetëm stërvitje individuale për shkak të dëmtimit në kavilje atë periudhë, – ka vijuar shtalarta. – Mirëpo duke qenë se Nezaj kishte probleme me tendinin, luajta unë. Dhe ky ishte fati im. Kam firmosur për një vit, ndërsa tashmë jam duke bërë dokumentat në ambasadën polake. Nuk më besohet, por më kanë këshilluar që në Durrës të takojë edhe Pauliukuskaja, e cila luan me skuadrën ku do të jem. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.”