AlbanianSport.com 18/02/2019 17:15
ASNN – Trajneri i Partizanit në volejboll për femra, Roland Tarja, nuk e fshehu gëzimin e skuadrës së tij në derbin ndaj Tiranës, duke e quajtur madje edhe si një prej dueleve më të bukura të këtij sezoni. Edhe pse grupi sipas tij nuk është ende në maksimum, ka shenja pozitive për një vazhdimësi cilësore të skuadrës, e cila mund të jetë njëherësh një pretendente për titullin.
“Ishte një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit, për të mos thënë më e bukura, – u shpreh trajneri Roland Tarja pas takimit derbi me Tiranën, – kjo për meritë të të dyja skuadrave. Nuk e nisëm aspak mirë takimin, bëmë shumë gabime në setin e parë, megjithatë, në setet në vazhdim skuadra luajti mirë dhe e fitoi ndeshjen. Kjo ishte një fitore e rëndësishme për skuadrën tonë.
“Sepse na ngjit një shkallë më lart, duke parakaluar në renditje edhe Tiranën, – vijoi ai. – Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës, e cila është mjaft e vështirë sepse luajmë ndaj vendit të dytë, Barleti Volejit, ku do të synojmë të eliminojmë gabimet dhe të marrim fitoren. Blerjet e reja që ka bërë presidenti Huqi e kanë ndryshuar krejtësisht ekipin.”
“Grupi ende nuk është në maksimumin e tij, por besoj dhe shpresoj që të jemi në formën optimale në gjysmëfinalet e Kupës dhe në fazën finale të kampionatit. Besoj se Partizani mund t’ia dalë me sukses”, – përfundoi trajneri i skuadrës së kuqe, Roland Tarja, dukshëm i entuziazmuar nga fitorja e skuadrës së tij në derbin me Tiranën e homologut Ardian Gorenxa.