AlbanianSport.com 25.09.2016 16:15
ASNN – Në fakt, falja e dënimit, apo më saktë, anulimi i masës së dhënë nga Federata Shqiptare e Volejbollit, ka nxjerrë në pah faktin se organizmi që qeveris rrjetën shqiptare ka vepruar në kundërshtim me vetë rregulloren e tij.
Sipas KAS-it, “kjo trupë gjykuese ka vërejtur se pala e paditur, që në këtë rast është Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit është mbështetur në nenin 4 të Rregullores së Disiplinës, atje ku parashikohet një dënim nga një deri në 5 ndeshje, si dhe një gjobë nga 10.000 deri në 100.000 lekë.”
Stela Agolli, e cila në muaji prill u përfshi në një incident në ndeshjen me të rejat e Partizanit, pas së cilës është dënuar nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit deri më 31 dhjetor 2016, tashmë e ka fituar “lirinë” e saj në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv.
Shkrimi i mëposhtëm, me autor bashkëpunëtorin tonë të vyer, Gjergj Vyshka, e kishte paralajmëruar një shkelje të tillë nga ana e Federatës Shqiptare të Volejbollit, por u deshën 5 muaj që një gjë e tillë të ligjërohej edhe zyrtarisht.
“Megjithatë duket se nuk është plotësisht argumentues për dënim kaq të gjatë të lojtares, sepse po vetë në Kodin e Etikës dhe Rregullores së Disiplinës në nenin 4 për kompetencat e Komisionit të Disiplinës nuk parashikohet një dënim më i madh se 1-5 ndeshje”, – shkruante asokohe bashkëpunëtori Vyshka.
Ju ftojmë ta lexoni dhe të gjykoni vetë:
Volejboll / FSHV argumenton dënimin e Agollit, zbardh përbërjen e Disiplinës
Gjergj Vyshka 07.04.2016 08:35
Federata Shqiptare e Volejbollit, ndryshe nga një ditë më parë, vetëm dje e ka sjellë vendimin e plotë dhe të argumentuar të Komisionit të Disiplinës, që ka dënuar për tetë muaj e gjysëm Stela Agollin e Tiranës, si dhe e ka gjobitur atë me 20.000 lekë të rinj. Në vendim thuhet:
“Komisioni i Disiplinës i mbledhur më 4 prill 2016, i përbërë nga Sokol Halili kryetar dhe Lorenc Golloshi dhe Genti Hoxha anëtarë, pasi analizoi ngjarjen e datës 3 prill në takimin midis Tiranës dhe Partizanit të zhvilluar në palestrën sportive “Fahrie Hoti” (kampionati kombëtar i të rejave) dhe mbështetur në proces-verbalin e datës 3 prill 2016, si dhe në deklarimet e gjyqtarëve të ndeshjes Ramadan Tafili (gjyqtar i parë) dhe Enri Zenullari (gjyqtar i dytë) konstatoi se: Kapitenia e Tiranës, Stela Agolli, në përfundim të ndeshjes ka demonstruar sjellje antisportive, sharje, ofendime, duke precipituar në dhunë fizike kundrejt lojtareve të Partizanit. Për sa më sipër duke parë që ky veprim bie në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Volejbollit, Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Disiplinës (neni 2.1 pika d dhe e, neni 2.5 dhe neni 4) lojtarja Stela Agolli të pezullohet për një periudhë kohore nga të gjitha zyrtare kombëtare, ndërkombëtare dhe miqësoret e organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit duke filluar nga data 4 prill 2016 deri në 31 dhjetor 2016, si dhe të gjobitet në shumën 20.000 lekë të rinj.”
Ky është vendimi, por megjithatë duket se nuk është plotësisht argumentues për dënim kaq të gjatë të lojtares, sepse po vetë në Kodin e Etikës dhe Rregullores së Disiplinës në nenin 4 për kompetencat e Komisionit të Disiplinës nuk parashikohet një dënim më i madh se 1-5 ndeshje.