Ashtu siç kishte paralajmëruar ditë më parë, klubi shumësportesh Vllaznia prezantoi mbrëmjen e së enjtes trajnerin e ri në volejboll për femra. Ai quhet Nebojsha Grabrz dhe vjen nga Mali i Zi përmes kordinatorit sportiv Shqipëri-Mali i Zi, Ardian Zaganjori. Ai është vënë menjëherë në shërbim të skuadrës, ndërsa do të ketë në krah trajneren aktuale të vajzave, Sadije Goga.
Mbrëmjen e së enjtes ai madje ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me Vllazninë. Bashkëpunimi me specialistin Nebojsha Grabrz, më herët edhe një ish volejbollist me emer në kampionatin malazez dhe atë serb, nuk është i pari në raportet me shtetin fqinjë të Malit të Zi. Sezonin e kaluar në krye të skuadrës së basketbollit meshkuj u vu Darko Vujaçiç, kontributi i të cilit përkrah teknikut Bledar Gjeçaj i dha Vllaznisë titullin “kampion”.
Është kjo arsyeja që me marrjen e këtij specialisti të njohur malazez, shkodranët kërkojnë të ngrejnë në këto nivele edhe skuadrën e volejbollit të femrave. Trajneri i sapoardhur është një emër shumë i njohur në Mal të Zi, Serbisë dhe Hungarisë, teksa ka luajtur volejboll me ekipe të njohura. Pikërisht këtë theksoi gjatë prezantimit të tij përpara medieve, drejtori i klubit shumësportësh Vllaznia, Mark Kroqi.
Ai ka vënë në dukje se beson shumë në aftësitë profesionale të këtij trajneri. Duke vënë në dukje punën e mirë që ka bërë deri më tani me skuadrën trajnerja aktuale Sadije Goga, Krroqi shprehu besimin se bashkëpunimi i mirëfilltë mes tyre do të sjellë suksesin e pritshëm. I pyetur nga mediet nëse ka një objektiv konkret, Krroqi sqaroi se klubi nga ana e tij nuk i ka vënë dhe nuk do të kërkojë objektiva konkrete për vend në renditje.
Por kërkojnë të fusë një frymë të re të volejbollit të femrave, tek grupi i vajzave të reja shkodrane, të cilat spikasin për të dhënat e tyre të perspektivës.