AlbanianSport.com 14.01.2015 16:25
ASNN – Volejbollistja shqiptare, Arjola Prenga, është në prag të një arritjeje historike personale, por me klubin e saj norvegjez, Stod Volejin, që kërkon të shkojë në çerekfinale të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, “Çellenxh Kap”.
Pasi ka kapërcyer në turin e parë një kundërshtare holandeze dhe në turin e 32-shes një ekip slloven, kampionia dhe fituesja në fuqi e Kupës së Norvegjisë përballet në turin e 16-shes me azeret e Azer-reilit të Bakusë.
Duke folur për AlbanianSport.com para dy ditëve, 28-vjeçarja ka theksuar se skuadra e saj po punon fort në stërvitje dhe me skemat për të siguruar fitoren ndaj azereve që në ndeshjen e parë.
“Skuadra jonë është e motivuar, por kundërshtari është një skuadër e fortë”, – ka theksuar Arjola, duke vijuar: “Do të jetë një ndeshje e fortë, të paktën nga ajo që kemi parë nëpërmjet pamjeve filmike.”
Ndeshja e parë midis Stod Volejit dhe Azer-reilit të Bakusë do të luhet më 14 janar në Norvegji, në Sallën Sportive “Stajnkjerholl”, duke nisur nga ora 19:00. Kurse ndeshja e kthimit luhet pas një jave, më 22 janar, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, duke nisur nga ora 18:00 me orën lokale.