Gjergj Vyshka 19.06.2016 14:20
Presidenti Pëllumbi: “Skuadra ka qenë gjatë gjithë kohës me këmbë në tokë dhe ka luajtur me aq sa ka pasur mundësi. E rëndësishme është se po hedhim bazat për të ardhmen.” Sllovakia, kryesuesja e grupit të Ligës së Evropës në volejboll për femra, ka rezultuar “kockë e fortë” për vajzat kuqezi.
Pavarësisht se shqiptaret kanë marrë setin e parë, sllovaket kanë ditur të përmbysin. Por kjo humbje nuk duket se shihet me syrin e “hatasë” nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. “Përderisa është skuadër kryesuese do të thotë që është e fortë”, – ka deklaruar ai pas ndeshjes.
“Skuadra nuk ka pasur asnjëherë eufori, aq më tepër që në setin e dytë nga 3-10 ka kthyer në 13-12, – ka vijuar ai. – Janë disa tregues teknik që do të thotë se skuadra ka qenë me këmbë në tokë. Do të kishim dashur fitore, por gjithsesi e rëndësishme është që po luhet.”
“Këtë do të kërkojmë dhe sot ndaj Bjellorusisë. Jemi duke hedhur bazat për një të ardhme pozitive të volejbollit”, – ka thënë përfunduar kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar, presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, në përfundim të ndeshjes me Sllovakinë.