Gjergj Vyshka 04.04.2016 14:20
I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, edhe sepse ka qenë i pranishëm në atë ndeshje në dy setet e para. “Ne ishim, – thotë ai për “Sport Ekspres”, – së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, sepse deri më 11 prill kemi afatin e fundit të konfirmimit të pjesëmarrjes së Kombëtares së paratërinjve, paratërejave, të rinjve dhe të rejave në Kampionatin Ballkanik të këtij viti.”
“Dhe jemi në evidentimin e elementëve për këto kombëtare, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Dhe kur pamë që ndeshja nuk kishte më kureshtje atëherë u larguam. Por jemi lajmëruar menjëherë për ngjarje. Është shumë e rëndë, sepse nuk duhet të ndodhë, aq më shumë që bëhet fjalë për brezin e ri, që është e ardhmja e volejbollit shqiptar”.
Dhe Pëllumbi në mënyrë urgjente ka kërkuar relacionet, sepse ka vendosur që sot në ora 17:00 të mbledhë Komisionin e Disiplinës. “Menjëherë do t’ua bëjmë të ditur vendimin. Por kemi nevojë t’i dënojmë këto ngjarje, sepse nuk i shërbejnë të ardhmes”, ka përfunduar Pëllumbi.