Partizani i djeshëm s’ka pasur asnjë lidhje me atë që ka qenë sezonin e kaluar. Sepse nga ai ekip, i cili e meritonte të ishte kampione, tashmë ka mbetur vetëm organizatorja Xheka, Malvina Tuci, Sara Shehu dhe Jaku. Dje nuk ka qenë as Iva Xhixha, që mbetet një nga shtyllat e formacionit të Tares, ndërsa tashmë nuk janë më në këtë skuadër që nga Prenga, e cila ka shkuar tek Tirana, Jakiç, Sofranac, Sheviron, Shkoza, Fagu e cila luante si lojtare e lirë dhe është tek UMB Volej.
Pra e thënë ndryshe Tarja duket se duhet ta ndërtojë ekipin nga e para. Në një kohë që Teuta, e cila ka ruajtur të gjithë strukturën e sezonit të kaluar, e ka pasur shumë më të lehtë për ta mundur pastër Partizanin. Në të tre setet është në avantazh gjithmonë, ndaj dhe i ka fituar ato 21-25, 13-25, 21-25. Në këtë ndeshje pikëshënuesja më e mirë ishte Selda Smajlaj me 15 pikë, e ndjekur nga Begiç e Zakova me 12 pikë, si dhe Sara Shehu e Partizanit me 10.
Në bllok ka dalë fituese Reka e Partizanit me katër mure fituese, kurse është ndjekur nga Tuci me tre mure fituese. Në shërbim është dalluar Dallupi me tre të sakta. Në total Partizani ka shënuar 55 pikë, prej të cilave 37 i ka realizuar vetë, kurse 18 kanë ardhur nga gabimet e durrsakeve. Në krahun tjetër Teuta i ka pasur në total pikët e shënuar 75, nga të cilat 56 i ka realizuar vetë, kurse 19 kanë ardhur nga gabimet e Partizanit. Një ndeshje që nuk la asnjë shije të mirë tek askënd, sidomos tek specialistët e rrjetës.
Partizani – Teuta 0-3
(21-25, 13-25, 21-25)
Partizani: Xheka, M. Tuci, S. Shehu, Jaku, Reka, Shaba, Zeqirllari (L) / Xhelilaj, Dedej, Xhaferraj. Trajner: R. Tarja
Teuta: Begiçi, S. Smajlaj, Gashi, Zakova, Llupo (L), Dallupi, Borshi / H. Jahja. Trajner: E. Jazenxhiu
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, R. Kasmi (Tiranë)