Gjergj Vyshka 02.03.2017 17:05
Barleti Volej ka vuajtur ndaj Partizanit, atje ku Blloku, Meçorapoj, por dhe Esmeralda Tuci kanë bërë gjithçka për të sfiduar skuadrën e Hasan Gurabardhi. Seti i parë është për fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, 25-22. Kundërpërgjigjet Partizani në të dytin 18-25. Me shumë vështirësi Barleti Volej ka fituar setin e 3-të 25-19 dhe të fundit në pikët shtesë 28-26.
Pse ka luajtur keq Barleti Volej, të paktën sipas asaj që ka shpjeguar Gurabardhi? Nisur nga pikët, Barleti Volej, në 4 sete ka shënuar 96 pikë, prej të cilave 76 pikë vetë, kurse 20 pikë kanë ardhur nga gabimet e të kuqeve. Në krahun tjetër, Partizani, në 4 sete ka shënuar në total 92 pikë, prej të cilave 64 pikë vetë, kurse 28 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barletit Volej.
Mesatarisht 7 pikë për set e Gurabardhi nuk ka se si të jetë i kënaqur, edhe pse është finalist. Shënuesja më e mirë e ndeshjes Enkelejda Braho e Barletit Volejit, me 27 pikë, e ndjekur nga Esmeralda Tuci e Partizanit, me 17 pikë, Malvina Tuci e Barletit Volejit, me 13 pikë, Ergysa Blloku e Partizanit, me 12 pikë, dhe Meçorapoj po e Partizanit, me 10 pikë.
Në bllok ka dalë fituese Fatbardha Picaku e Barletit Volejit, me 5 mure të suksesshme, si dhe Xhenifer Pirra e Partizanit me 4 mure të suksesshme. Në shërbim është dalluar Enkelejda Braho e Barletit Volejit, me 4 rezultative. Shkurt Barleti Volej është finaliste mes vuajtjeve dhe gabimeve të veta.
Barleti Volej – Partizani 3-1
(25-22, 18-25, 25-19, 28-26)
Barleti Volej: Xheka, Hasku, M. Tuci, Braho, Bego, Fagu (L), Picaku / Brati, Xhelilaj. Trajner: H. Gurabardhi
Partizani: Ortega, E. Tuci, Blloku, Shehu (L), Meçorapoj, Matraku, Pirra / Gongo, Kole. Trajner: R. Tarja
Gjyqtarë: E. Zguri, E. Dusha (Tiranë)
Ndihmës: K. Tota, A. Nurja (Tiranë)