Albaniansport.net 18.01.2016 10:05
ASNN – Mosgrumbullimin e brezave të rinj me kombëtaren, volejbollistja e Tiranës, Klonarda Nezaj, e sheh si të dëmshëm. Sipas titullares së padiskutueshme të volejbollit, njëherësh fituese e mjaft trofeve në karrierë, mungesa në arenën ndërkombëtare do të çojë në degradim të nivelit të sportit. “Për kombëtaren, sigurisht që më vjen keq, asnjë pjesëmarrje prej 2 vitesh, – ka deklaruar deklaroi Nezaj në një intervistë të dhënë për gazetarin Olgert Serani të së përditshmes sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“Ndonëse brezi im dhe i disa titullarëve të tjera kanë “shijuar” disa vite radhazi pjesëmarrjet në veprimtari të ndryshme në arenën ndërkombëtare, për fat të keq kjo lloj eksperience po i mungon brezit të ri, – ka vijuar ajo. – Janë shumë larg kësaj rruge. Por duke mos pasur konkurrencë, mospjesëmarrja do të sjellë degradim akoma më shumë të nivelit të volejbollit në Shqipëri.” Ndërkohë, pas aventurës së suksesshme me Barleti Volejn, Nezaj është rikthyer te Tirana me të njëjtat ambicie. “Ky sezon i volejbollit ka qenë i paparashikuar, që me rikthimin tim te Tirana”, – ka vijuar ajo për median në fjalë.
“Madje, për plane familjare mund të mos jem deri në përfundim të “play-off”-it, – ka zbuluar volejbollistja e mirënjohur. – Për dijeninë tuaj, kam refuzuar oferta brenda dhe jashtë Shqipërisë si: Belgjikë, Kosovë, Gjermani, etj. Të veshësh sërish fanellën bardheblu është emocionuese sepse këtu kam fillesat dhe sukseset e para në karrierën time. Fillimi i kampionatit ka pasur probleme të shumta, që nga federata e deri te transferimi i lojtareve ndërmjet klubeve të ndryshme. Në fakt shoh një rënie të dukshme të nivelit të këtij sporti me traditë dhe ndiej keqardhje për situatën në të cilën ndodhet.”
“Sa i përket sezonit, dihen tashmë dy skuadrat pretendente, ne dhe Barleti Volej, – ka theksuar Nezaj, duke bërë analizën e këtij kampionati. – Pavarsisht se Tirana këtë vit ka mungesa lojtaresh, dhe përforcime deri tani nuk kemi pasur, ne do të japim maksimumin për arritjen e të gjitha objektivave. Si rivale kemi një ekip më të kompletuar se ne, atë të Barletit. Por që ekipi ynë ka në përbërje lojtare titullare të disa kampionateve. Eksperienca ka treguar shpeshherë dominim në fund, por kampionati është i gjatë ndaj çdo gjë mbetet e hapur.”