AlbanianSport.com 14/02/2024 20:15
ASNN – Liga “Gjergj Kastrioti” për femrat, Skënderbeu-Tirana erdhi drejtpërdrejt në RTSH. Kështu, është mbyllur faza e grupeve tek femrat, duke përcaktuar edhe 4 gjysmëfinalistet e këtij sezoni të Ligës “Gjergj Kastrioti”, në volejboll, teksa të martën në mbrëmje janë luajtur edhe ndeshjet e fundit. Kështu, në katërshen finale, që i luan ndeshjet në fillim të marsit në Korçë, Skënderbeu përballet në gjysmëfinale me Partizanin, ndërsa Tirana me Dritën e Gjilanit.
Veprimtaria mbarëkombëtare e volejbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga “Gjergj Kastrioti”, ka mbyllur fazën e saj të grupeve tek femrat, duke përcaktuar edhe 4 gjysmëfinalistet e këtij sezoni, teksa të martën në mbrëmje janë luajtur edhe ndeshjet e fundit. Dhe sfida e spikatuar ka qenë ajo të u luajt në kryeqytet, midis Tiranës dhe Skënderbeut. Sfida ka qenë e luftuar, me korçaret që e fitojnë setin e parë me shifrat 25-21.
Por vajzat bardheblu kthehen fuqishëm në setin e dytë, duke e fituar atë thellë, 25-11. Skuadra e trajnerit Hasan Gurabardhi ka marrë iniciativën dhe e fiton edhe setin e 3-të, 25-18, duke përmbysur kështu shifrat. Tirana nuk ndalet dhe, përtej përpjekjeve të Skënderbeut, e fiton edhe setin e 4-t 25-20 dhe gjithë ndeshjen 3-1, duke u ngjitur kështu në vendin e dytë të renditjes së grupit A, me 12 pikë.
Kështu, Skënderbeu dhe Tirana vijojnë më tej në gjysmëfinale dhe dy skuadrat e Kosovës, Skënderaj dhe Prishtina ’75 eliminohen. Ndërkaq, në grupin B, është Drita e Gjilanit dhe Partizani që kualifikohen për në gjysmëfinale, ndërsa Fushë-Kosova dhe Pogradeci eliminohen. Kështu, në katërshen finale, që i luan ndeshjet në fillim të marsit në Korçë, Skënderbeu përballet në gjysmëfinale me Partizanin, ndërsa Tirana me Dritën e Gjilanit.